Kategoria Superiore ka kaluar nga viti më i keq në historinë e saj në Europë, në atë më të suksesshmin. Skuadrat shqiptare një vit më parë u eliminuan të gjitha në arenën ndërkombëtare pa kaluar turin, ndërsa në këtë vit, duke filluar nga Tirana në Ligën e Kampioneve e duke vazhduar me Kukësin, Laçin e Teutën, të gjithë kaluan në turin tjetër të aktiviteteve ku marrin pjesë.

Për herë të parë në histori, tre klube shqiptare kalojnë paralelisht në turin e dytë të Ligës së Euroipës duke u kualifikuar direkt. Ndërkohë, në turin e tretë të Ligës së Europës I pret Tirana, që ka siguruar biletën e saj nëpërmjet Ligës së Kampioneve.

Në edicionet e mëparshme, edhe pse me raste favorite në letër, gjithmonë kishte qenë të paktën një nga skuadrat në Ligën e Europës ajo që nuk kishte arritur të kalonte turin e parë.

Një tabu që u thye sot dhe që sheh Superioren të sigurojë pikë të rëndësishme edhe në renditjen e UEFA-s, ku po shkonte frikshëm drejt fundit të tabelës. /vipsport/