E kishte premtuar para ndeshjes me Gramshin dhe në fakt ia arriti. Edison Puka, sulmuesi kryesor I Adës, para ndeshjes së javës që shkoi, kishte thënë se do shënonte dhe do ta ndihmonte ekipin e tij drejt fitores. Në fakt, sulmuesi 20 vjeçar jo vetëm ka shënuar por ka bërë shumë më tepër se kaq. Ka shënuar vetë golin e parë, ka marrë 11-metërshin që u kthy në gol nga kapiteni Nika dhe po ashtu ka dhënë asistin e golit të tretë për Erkoçeviç. Më mirë se kaq nuk mund të bëhej dhe për këtë arsye, vetë Puka do të shprehej: “Mendoj se kam zhvilluar një ndeshje të mirë por jo vetëm unë sepse edhe I gjithë ekipi ka luajtur mirë. E rëndësishme ishte të fitonim por rezultati 3-0 që arritëm tregon edhe për forcën që ka skuadra. Ndaj Gramshit paraqiti forcën e vërtetë që ajo ka dhe mendoj se kjo fitore do të na ndihmojë për ndeshjet e ardhshme”. Me golin e shënuar ndaj Gramshit të shtunën që shkoi, Puka është ngjitur në kuotën e 5 golave të shënuar në këtë kampionat dhe me shumë siguri do të kalojë shifrën e 9 golave që shënoi kampionatin e kaluar. Ai duket në rrugë të mbarë për ta bërë këtë gjë. Ky sulmues ka qenë një nga pikat më të forta si për ish-trajnerin Nikaj ashtu edhe për trajnerin aktual Kulli. Në fakt ata kanë të drejtë sepse Puka ka shënuar gati gjysmën e golave të skuadrës deri tani teksa ai e ka dërguar topin 5 herë në rrjetë nga 11 golat që ka bërë Ada deri tani. Pavarësisht këtyre golave, vetë sulmuesi në fjalë, është më shumë I përqendruar tek ndryshimi I situatës së skuadrës të tij sesa tek golat personalë. Kjo ngaqë ai mendon se Ada I ka patur mundësitë të jetë shumë më lart në renditje e për këtë thotë: “Nuk e kemi nisur mirë këtë kampionat dhe besoj se jemi kemi kaluar njëfarë krize. Jo krizë loje sepse kemi luajtur mirë në të gjitha ndeshjet, por në krizë rezultatesh. Mendoj se tani ka ardhur momenti që të mos tolerojmë më dhe të marrim pikët që na duhen për t’iu shkëputur fundit të tabelës së renditjes sepse nuk është vendi që na takon për vetë përbërjen që ka skuadra por edhe lojërat që ka zhvilluar”. Ndërkohë pas Gramshit, velipojakët do vazhdojnë ballafaqimet me skuadrat kundërshtare direkte për rënien nga kategoria teska do ndeshjen edhe me HImarën, Naftëtarin dhe Kamzën. Objektivi I Adës duket se është marrja e 6 pikëve në këto tre takime. Paksa e vështirë në pamje të parë kur ke parasysh se dy ndeshje do luhen në transfertë dhe një në Velipojë. Por Edison Puka mendon se skuadra e tij mund t’ia dalë prandaj thotë: “Janë tre ndeshje të vështira por janë shumë të rëndësishme për ne sepse në rast fitoreje ndaj tyre, jo vetëm I lëmë poshtë në renditje por edhe rikuperojmë pikë. Mendoj se I kemi të gjitha mundësitë për të marrë 6 nga 9 pikë të mundshme në këto tre takime”.
Gjergj KOLA