Mbas humbjes 0-1 të kë toditshme prej Parti zanit, një humbje krejt normale, qoftë edhe për faktin se tash për tash Partizani e ka skuadrën më të mirë se Sportklub Tirana, ka shpërthyer një flakërimë e pamëshirshme kundër trajnerit brazilian José Marcelo Ferreira Ze Maria.

Dhe me sa po shihet, autorët e kësaj flakërime janë dy: një pjesë e gazetarisë, sidomos asaj “mikrofonike” – kështu duhet quajtur – dhe ish-trajnerë, të shndërruar në “analistë”.

Nuk dua të merrem fort me të parët, sepse si gazetar i vjetër, për këtë dukuri të tyre kam shkruar kushedi sa herë, e nëse disa prej tyre nuk duan t’i hyjnë për së mbari këtij profesioni të vështirë, në fund të fundit, kjo është punë e tyre.

Në thelb, e kam fjalën për të dytët. Pra, për trajnerët apo specialistët televizivë apo shkrues, të cilët nga e shtuna e këtej, dikush qartë, e dikush me nënkuptime, kanë shpërthyer një lloj sulmi tejet “origjinal” kundër pranisë së trajnerit Ze Maria të SK Tiranës.

Sigurisht, tema nuk është e re. Madje, prej meje ajo është tejet e vjetër. Jo larg, por mbas një sulmi po të këtillë që iu bë trajnerit të Kombëtares, Christian Panucci, botova këtu në “Panorama Sport” shkrimin me titull: “Trajneri nuk është lojtar i ndeshjes”, të cilin e fillova me këtë shembull:

“…Po e kujtoj edhe një herë këtu, rastin e trajnerit të famshëm, Joao Saldanha (1917-1990) të Brazilit ’69-’70 – e ai më parë se trajner qe gazetar nga profesioni – i cili mbasi ia dha variantin taktik skuadrës para se të dilte në fushë, iu tha lojtarëve: “Kjo është taktika, por nëse qysh në 10 minutat e para ajo nuk iu ka sukses, atëherë luani si të dini ju”.

Kjo thënie ka mbetur legjendë, ndërkohë që përderisa në skuadër Saldanha kishte Pele, Jairzinho, Gerson apo Tostao, ai mund të fliste edhe kështu, pra. Sepse këta talente gjigantë, të cilët Brazili ende nuk i ka zëvendësuar, falë origjinalitetit të artit e mendimit të tyre të madh futbollistik, ishin vetë trajnerë të fushës së lojës.

Por, nga ana tjetër, kjo thënie ka mbetur emblematike për të treguar se në fund të fundit, trajneri nuk është lojtar në fushë, por është një drejtues “i largët” prej saj, atje tej, nga stoli.

Dhe i lumtur është ai trajner, i cili arrin t’i përçojë dhe sendërtojë mendimet e tij për në fushë, aty ku në fund të fundit, ai që interpreton nuk është regjisori (trajneri), por aktori (futbollisti). Më vjen keq që më duhet të përsëris, por s’ke ç’të bësh! Dhe për hir të së vërtetës, këtë editorial nuk deshta ta shkruaj.

Mirëpo, një intervistë e djeshme, për mua befasuese, e kryeredaktorit të “Panorama Sport”, Jetmir Halilaj, me një futbollist të madh të Shqipërisë, siç është Jani Kaçi, por dhe trajner, më nxiti. U gëzova tejet që më fund doli një specialist i futbollit, jo në mbrojtje të trajnerëve të huaj që vijnë në Shqipëri, por në thelb, në mbrojtje të vlerave, misionit dhe të vetë kuptimit, si të thuash, strategjik, të zhvillimit të futbollit në shoqërinë tonë.

Intervista e Jani Kaçit është tronditëse, sepse tronditëse janë këto kritika të tija: “Trajnerët shqiptarë punojnë pa program!” “Trajnerët e huaj janë shumë të zotë…, por ata nuk përshtaten dot me poshtërsitë tona!” “Pse iku Barici? Pse iku Dosena? Pse ikin të gjithë ata të zotët dhe ne nuk gjejmë dot një shpjegim?”

“Dëgjoj trajnerë të ndryshëm në studio të ndryshme dhe mbajnë fjalime… Dalin në televizor dhe e ‘shesin’ veten në televizor. Jo mor zotëri, jo, trajnerë duhet ‘të shiten’ në fushë!” “Ka disa trajnerë që ikin nga një klub dhe pastaj fillojnë të dalin në televizione dhe në gazeta. Rrinë aty për muaj të tërë apo dhe për vite…!”

Kështu thotë Jani Kaçi. E, tash rrëzojini po të mundni këto mendime kritike të Jani Kaçit. Nuk janë të reja. Por më në fund një koleg i tyre “guxoi” t’ua thotë krejt qartë.

Vërtet, si ka mundësi që edhe kësaj here studiot televizive apo intervista ish-trajnerësh në gazeta, të frymëzuar jo pak edhe nga drejtues apo drejtuese rubrikash me pyetjen “legjendare” “a e rrezikon postin trajneri?” – gati e kryqëzuan Ze Maria-n e Sportklubit? Çka nuk guxojnë ta bëjnë asnjëherë me kolegët e tyre shqiptarë – edhe pse këta të fundit mund të dështojnë radhazi në skuadrat e tyre! Sigurisht, ngaqë i kanë shokë, ndërsa “Ze Maria-t” nuk i kanë shokë.

Më vjen keq ta quaj “korrupsion” një trajtim të tillë të tillë. Por “korrupsion” idesh tejet të dëmshme, mund ta quaj pa ndrojtje. Nuk e njoh trajnerin Ze Maria, por nëse ky njeri e drejtoi Sportklub Tiranën për në rikthimin e saj në kampionatin kombëtar, mendoj që edhe pse ai bën një fillim të pakëndshëm në këtë kampionat, aq më tepër ti, “analisti” – trajner, nuk ke përse hidhesh përpjetë dhe me tekst apo nëntekst të kërkosh që ai duhet të ikë.

Kaq shpejt ke harruar se sa i hidhët, shpesh madje dhe fyes, është shkarkimi, që të ka ndodhë edhe ty kur ishe trajner?… Është vërtet e çuditshme sesi në Shqipëri nuk ndodhi që një trajner i huaj të zgjasë një apo dy vjet me një klub shqiptar.

Po ashtu, është e çuditshme sesi kryetarët (presidentët) e klubeve shqiptare u nënshtrohen kësisoj, kritikave të pamëshirshme të “analistëve” – trajnerë kundër trajnerëve të huaj! Nuk e shpjegoj. Jani Kaçi thotë diçka vërtet të trishtueshme: “Kush i zgjedh trajnerët? Vetëm presidenti…

Që këtu fillon problemi. Ka trajnerë që iu thonë personave pranë klubit: ‘Thuaji presidentit të më marrë mua?’…” Tejet e trishtueshme! Dhe?… “Shqipëria kundër trajnerit Europian”, siç kam titulluar një herë. Vështroni tash se çka ka ndodhur ndër ne me trajnerët e huaj vetëm në disa prej kampionateve të viteve të fundit:

Mario Sampaio – vetëm 13 javë trajner i Partizanit!

Hulio Rubio – vetëm 11 javë trajner i Flamurtarit!

Roberto Cevoli – vetëm 3 javë trajner i Teutës!

Mauro De Vecchis – vetëm 1 javë trajner i Bylisit!

Daniel Fernandez – vetëm 6 javë trajner i Luftëtarit!

Luigi Gargano – vetëm 4 javë trajner i Teutës!

Mark Iuliano – vetëm 9 javë trajner i Partizanit!

Stanislav Levy – vetëm 8 javë trajner i Flamurtarit!

Naxhi Shansoj – vetëm 9 javë trajner i KF Kukësit!

Roberto Serrentino – vetëm 10 javë trajner i Teutës!

Miodrag Radanovic – vetëm 4 javë trajner i KF Kukësit!

Adolfo Sormani – vetëm 5 javë trajner i Partizanit!

Mario Troisi – vetëm 5 javë trajner i KF Laçit!

Arrogancë? Nervozizëm? Kapriço? Nënshtrim ndaj kritikës së shfrenuar “mikrofonike”?. Dhe me vrap për te blerja e lojtarëve mediokër të huaj, duke cenuar sa s’ka ku shkon më ardhjen e elementit të ri të talentuarit shqiptarë!…

Ndërkohë, vetëm mbas 6 javëve të para të kampionatit, shkarkimet e “telekomanduara” edhe prej ekranit të vogël sapo kanë nisur: Milos Kostic – vetëm 4 javë trajner i Luftëtarit! Kur sapo është dhënë “urdhri” për shkarkimin e Ze Maria-s të Sportklub Tiranës!

Dhe harrohet se, bie fjala, në dy rëniet më të famshme nga kategoria në historinë e Shqipërisë, SK Tirana e Vllaznia, trajnerët e tyre nuk ishin të huaj, por shqiptarë!

Të cilët pa asnjë tronditje ndoshta edhe mund të dalin në studio e të kërkojnë shkarkimin e një kolegu të huaj! Duke harruar pa dashur se, për shembull, Kombëtarja, pikërisht me një trajner të huaj (Gianni De Biasi) mbërriti suksesin më të bujshëm në histori, duke shkuar në finalet e kampionatit europian.

Nuk dua t’i fetishizoj trajnerët të huaj. Aq më tepër, siç kam shkruar kushedi sa herë, se shkarkimet e pafund i ndjekin shumë shpesh me pa të drejtë edhe trajnerët shqiptarë.

Por, jo deri këtu. Qofsha i gabuar, por rreth kësaj teme më duket se është koha që të ndalë “kompetencat artificiale” e trajnerëve – “analistë”. Ndonëse duket që këtë nuk e bëjnë këta.

Kjo u takon ta bëjnë drejtuesit e redaksive të mediave përkatëse, kryeredaktorët, drejtorët, pronarët e këtyre mediave, të cilët më në fund besoj se do ta kuptojnë që nuk është natyrë e gazetarisë kur brenda një mbrëmjeje në vetëm dy studio televizive, ta gjykojnë ndeshjen e pakta nja 6 trajnerë! Shumica e të cilëve kanë “vendosur” të shkarkojnë një Ze Maria apo të gjithë “Ze Maria-t” të cilët kanë ardhur të punojnë në Shqipëri.

Dhe merre me mend! Në gjithë këto vite 2000 vetëm dy trajnerë të huaj kanë arritur të fitojnë një titull Kampioni të Shqipërisë: Dervis Hadziosmanovic (Vllaznia 2001) dhe Stanislav Levy (Skënderbeu 2012). Përse? Sepse thjesht u lanë të punonin. Pra, nuk u shkarkuan edhe kur humbisnin një, dy apo tri ndeshje! Më vjen mirë që jam me Jani Kaçin. Po aq, më vjen mirë që Jani Kaçi qenka me mua.
*Artikulli eshte botuar ne “Panorama Sport”