Edmond Doçi, një nga ish-lojtarët që ka provuar edhe shijen e titullit kampion me fanellën e Vllaznisë, ka folur për ecurinë e kësaj skuadre në këto 28 javë, si dhe për pjesën e mbetur të sezonit.doci
Ai e shikon Vllazninë të favorizuar nga “Final 4”, pasi, sipas tij, shkodranët janë penalizuar shpesh nga aleancat. Doçi e shikon me optimizëm si çështjen e titullit, ashtu dhe fitimin e mundshëm të Kupës së Shqipërisë.
Doçi, një start jo i mirë i sezonit nga Vllaznia, por tani ajo ka ndryshuar totalisht. Ju keni qenë skeptik në fillim, po tani si e shikoni këtë skuadër?
Vllaznia gjithmonë e vazhdon kampionatin si pretendente për fitimin e kampionatit, po ashtu edhe të Kupës. Fillimi i kampionatit nuk ishte aspak i mirë për shumë arsye, si dëmtimi i shumë lojtarëve dhe po ashtu moskuptimi i lojtarëve për rolin që kishin. Normal që e kisha menduar në 4-she, ashtu e kam menduar përherë në vendet e para, si kur luaja, ashtu dhe tani që jam tifoz. Vllaznia është pjesa e bukur e futbollit shqiptar, duhet të jetë gjithmonë pretendente.
Çfarë gjykimi keni për formulën e “Final 4”?
Formula e re do të ketë gjithmonë kundërshtime nga ekipet që do të dështojnë. Mendoj që është një formulë që favorizon edhe ato ekipe që nuk kanë gjatë kampionatit aleanca. Për më tepër Vllaznia e ka vuajtur gjithmonë këtë pjesë.
Vllaznia has vështirësi me ekipet që janë në fund të tabelës, siç ndodhi në Kukës. Si e shikoni ndeshjen me Erzenin?
E thashë më lart se euforia na ka dëmtuar gjithmonë. Mendoj që edhe në Kukës ekipi kishte shenja euforie, ajo ndeshje duhej menaxhuar më mirë, duke aktivizuar lojtarë të rinj. Ekipi vinte nga disa ndeshje të forta dhe lojtarët mendoj ishin disi të konsumuar fizikisht, por edhe nga përqendrimi. Pauza e kampionatit erdhi në momentin e duhur dhe ndeshja me Erzenin do të flasë në favorin e Vllaznisë.