Futbollisti shkodran Edmond Doçi nga fillimi i këtij sezoni ka nisur një karrierë të re. Pikërisht në San Marino me ekipin kampion të këtij vendi “Tre Fiore”. Ai ka firmosur një kontratë njëvjeçare me këtë ekip. Por e veçanta e Doçit tek kjo skuadër është se ai për momentin është golashënuesi kryesor i saj. Madje më i miri edhe në kampionatin e San Marinos. Në 5 ndeshjet e para të kampionatit atje, ai ka shënuar 4 gola ndërkohë që ekipi i tij i ka fituar të pesë ndeshjet duke qenë në vend të parë në renditje me pikë të plota. “Tre Fiore” është kampionia në fuqi e këtij vendi dhe kërkon sërish ta ruajë atë edhe në sezonin aktual. Marrja e Doçit është konsideruar një përforcim i rëndësishëm dhe ai po jua shpërblen me lojën dhe golat që po shënon. Mjafton të lexosh gazetat kryesore të këtij vendi si “Corriere Romagna”, “Romagna Sport” apo faqe të ndryshme interneti dhe do kuptosh qartë mënyrën si po luan ai në këtë vend teksa shpesh shfaqet protagonist me lojën dhe golat e tij. Vetë Mondi shprehet i kënaqur për përvojën e tij të re teksa thotë: “Ndjehem mjaft mirë këtu në San Marino. Luaj me skuadrën më të mirë të këtij vendi dhe që në debutimin tim me këtë skuadër, kemi fituar Superkupën e San Marinos. Luajmë me objektiv për të fituar sërish titullin kampion dhe kupën e këtij vendi ndërkohë që unë për momentin jam golashënuesi më i mirë i skuadrës”.