Ish- futbollisti i Vllaznise kampione te para 24 viteve, Edmond Doçi, i cili tani mban detyren e trajnerit te ekipit Vllaznia U-21 ka folur së fundmi për “Panorama Sport” mbi ecurinë e skuadrës shkodrane. Ish-mbrojtësi analizon ndeshjen e fundit ndaj Partizanit e po ashtu përmirësimet se çfarë mund të bëjë skuadra në javët e ardhshme. Ndër të tjera, ai thekson se këtë sezon Vllaznia i ka mundësitë për të realizuar një dopietë trofesh.

Doçi, Vllazni fituese ndaj Partizanit, e merituar apo jo?

Totalisht një fitore e merituar, që nga fillimi e në fund të ndeshjes ishte Vllaznia që dominoi dhe duke marrë suksesin. Shkodranët vrapuan shumë pavarësisht ndonjë episodi në favor të kundërshtarit. Në syrin tim, e bënë Partizanin të dukej si një ekip jo pretendent dhe që u shfaq shumë pak gjatë 90 minutave.

Ekipi më në fund u duk se bindi totalisht ndaj të kuqve, çfarë mund të përmirësojë skuadra?

Skuadra e Vllaznisë ka ardhur në rritje në performancë gjatë periudhës së fundit. Ka sidomos rritje të lojës në pjesën e dytë, që ishte një problem në dy fazat e para të kampionatit. Mund të përmirësojë tranzicionin negativ, kur kundërshtari sulmon, për të mos i lënë hapësira. Kjo sepse Vllaznia luan një lojë sulmuese dhe është gjithmonë në presing lart, kështu që duhet të jetë e përgatitur edhe pas në mbrojtje.