Futbollisti shkodran Edmond Doçi i ka dhëne fund aventurës së tij në kampionatin e San Marinos me ekipin Tre Fiore dhe ka firmosur për Adën e Velipojës me të cilën do luajë në fazën e dytë të kampionatit. Ky është një përforcim i rëndësishëm për velipojakët që në këtë mënyrë kompesojnë largimin e Kaçit për tek Besëlidhja. Doçi është detyruar të ndërpresë kontratën me ekipin e tij në San Marino për disa arsye familjare dhe në përpjekjet e tij për të gjetur një skuadër tjetër, kanë qenë drejtuesit e Adës ata që ia kanë plotësuar kërkesat duke e bërë të firmosë për ta.

Ashtu si në San Marino, edhe tek Ada, Doçi pritet të luajë si sulmues, duke kompesuar kësisoj edhe largimin e Albert Kaçit nga kjo skuadër pas kalimit të tij tek Beslidhja. Por përveç Doçit, me velipojakët janë bashkuar dhe federuar tashmë edhe dy futbollistët e tjerë shkodranë që më parë kanë luajtur me ekipin e Trepçes në Kosovë, pikërisht Bledar Perfati dhe Jaser Rrustja. Po ashtu kanë ardhur edhe portieri Fishta, mbrojtësi Çaku dhe mesfushori Preka. Me këto lëvizje, Ada duket më e kompletuar dhe në këtë mënyrë, pretendimet e saj janë për të zënë sërish një nga gjashtë vendet e para të renditjes në fund të kampionatit.

www.shkodrasport.com