Edmond Doçi, trajner i Vllaznisë U-21, ka analizuar së fundmi për “Panorama Sport” humbjen e fundit të kuqebluve ndaj Egnatias. Sipas ish-mesfushorit, ndeshja u vendos nga episode dhe rezultati më i drejtë do të ishte barazimi.

Ndër të tjera ai thekson se Vllaznia duhet të nxjerrë mësime nga kjo disfatë ndaj një rivali direkt e ndërsa ndalet edhe te gjykimi. Sipas Doçit, gjyqtarët nuk duhet të bëhen protagonistë në ndeshje të tilla.

Doçi, një humbje ndaj Egnatias që prish disi atë atmosferën pozitive që ishte krijuar, apo jo?

Humbjet gjithmonë lënë shije të hidhur dhe të vënë në pesimizëm e të ulin entuziazmin. Por ajo që më “ngrohu” ishte prania e tifozëve në stadium ku ishin të shumtë në numër. Kjo është diçka që jep pozitivistet, sepse tregon se ekipi po luan mirë dhe i ka tifozët pas vetes për ta mbështetur.

Sipas jush, a ishte një rezultat i drejtë ai i së dielës?

Ndeshja u vendos nga episodet në opinionin tim. Egnatia diktoi ritmin në pjesën e parë, por Vllaznia u përgjigj mirë në të dytën. Them se rezultati më i drejtë do të ishte barazimi në fund. Megjithatë, Vllaznia duhet të nxjerrë mësime dhe të korrigjojë, sepse kjo humbje vjen ndaj një kundërshtari direkt të “Final 4”.

Kishte pretendime për arbitrimin, jeni dakord?

Gjyqtari ndoshta nuk ishte në nivelin e duhur. Besoj se mund të zgjidhte disa momente më mirë. Ai është djalë i ri me perspektivë, por në ndeshje të tilla nuk duhet të jenë protagonistë arbitrat. Dhe gjithçka duhet lënë në këmbët e futbollistëve, jo te bilbili.

Çfarë mund të përmirësojë skuadra?

Atë besoj se e di më mirë stafi teknik, pasi nuk shoh shumë defekte tek ekipi. Ndoshta ndonjë detaj apo interpretim i lojës gjatë zhvillimit të ndeshjes mund të jetë në lupën e stafit teknik dhe trajnerit. Duhen shikuar gabimet dhe rikuperohen në mënyrë që të shkosh drejt titullit kampion.

Është tashmë “e betonuar” katërshja për Vllazninë?

Mund të them se nuk besoj se do të ketë ndryshime për ekipet e katërshes së parë. Megjithatë, kurrë nuk mund të jesh i sigurt 100% në futboll. Po shohim se në çdo ndeshje ka vështirësi për çdo ekip. Nuk ka pikë të garantuara me askënd, prandaj çdo sfidë është si luftë.

Ishte Egnatia rivali më i përgatitur që Vllaznia është përballur?

Egnatia ka shkuar në identitet me merkaton e janarit. Kthimi i Fernandos apo edhe portieri Dajsinani e kanë përforcuar ekipin dhe tashmë duken ne rrugën e mbarë. Trajneri Tetova ka ndërtuar një mekanizëm dhe ka gjetur futbollistët e duhur për idetë e tij.

Ishin gabime të mbrojtjes golat e pësuar?

Goli i parë që u pësua nuk ishte faj direkt i mbrojtjes. Ishte një tranzicion negativ i ekipit dhe pozitiv i Egnatias. Ata shfrytëzuan superioritetin numerik në atë moment. Ndërsa goli i dytë ishte si pasojë e nxjerrjes para të të gjithë skuadrës dhe goditja e Zejnullait ishte shumë precize.

Java tjetër e gjen Vllazninë në transfertë kundër Teutës. E vështirë?

Besoj se është një ndeshje “e sikletshme” sepse Teuta kërkon pikë medoemos për t’u larguar nga fundi. Vllaznia besoj se në aspektin psikologjik është e qetë sepse ka një distancë sigurie momentalisht me vendin e pestë. Pres një ndeshje të fortë dhe kam besimin se Vllaznia ia del të marrë një rezultat pozitiv në Durrës këtë javë.