Vllaznia U-21 i ka bërë një nisje fantastike sezonit, duke marrë 6 pikë në dy ndeshjet e para.DOCIPër këtë ecuri të kuqebluve ka folur trajneri i skuadrës, Edmond Doçi. Ish-mbrojtësi i majtë u ndal te rëndësia që ka kjo skuadër për ekipin A. Gjithashtu shkodrani analizoi edhe ecurinë e 9 herë kampionëve të vendit këtë sezon. Ai theksoi në intervistën për “Panorama Sport” se Vllaznia i ka pëlqyer, pasi e ka rritur nivelin e saj nga ndeshja në ndeshje.
Doçi, nisje e shkëlqyer e kampionatit tek U-21. Dy takime dy fitore, objektiv kampionati?
Faleminderit për komplimentet, por uroj të vijojmë në këtë rrugë. Ekipi U-21 e ka gjithmonë objektivin t’i shërbejë skuadrës së parë. Për futbollistë që ndoshta nuk marrin minutat e duhura në Superiore e po ashtu për futbollistë që stërviten te skuadra U-21 dhe që presin shansin e tyre për ekipin A. Objektivi nuk është dalja kampion, por e rëndësishme është që këta lojtarë të kenë ritëm dhe minuta. Në mënyrë që të jenë të gatshëm në çdo moment që iu kërkohet.
Kalojmë te skuadra e parë, një Vllazni bindëse në përfundim të kësaj faze të parë apo jo?
Skuadra e parë është pasqyra më e mirë e klubit. Mendoj që këtë vit ajo që më pëlqen më shumë është se kemi krijuar edhe njëherë identitetin e Vllaznisë. Ku nuk jemi ekipi që kalohet nga të tjerët, por skuadra që e kanë frikë gjithë ekipet kundërshtare. Kjo është diçka që më pëlqen shumë, sepse në fushë është shumë e rëndësishme ana psikologjike. Dhe Vllaznia në këtë aspekt më duket shumë e përmirësuar dhe bindëse.