Edmond Doçi, trajneri i Vllaznisë U21, ka analizuar për “Panorama Sport” humbjen e fundit të kuqebluve përballë Bylisit. Ish-mbrojtësi është ndalur në detaje te disfata ndaj ballshiotëve.

Në fjalët e tij ai thekson se dueli u vendos nga episode, ku mallakastriotët shfrytëzuan mundësitë. Ndër të tjera, Doçi thotë se ekipi duhet të tregojë mentalitetin e duhur për ndeshjet e ngelura dhe duhet të “shkundet”. E ndërsa ish-kampioni i vendit me shkodranët ka ende besim se skuadra i ka të gjitha mundësitë për të fituar trofe në fund të edicionit.

Doçi, si e komentoni këtë humbje të fundit në kampionat të Vllaznisë kundër Bylisit?

Ekipet që luftojnë për kampion dhe “Final 4”, kanë mundësinë të bëjnë llogaritë. Tashmë po formohen skuadrat dhe ato të cilat do të përballojnë finalet e kampionatit. Duhet të bëhen zgjidhjet e duhura për të gjetur futbollistët e duhur dhe ata që mund të japin suksesin në fund. Skuadra ka gjëra për të korrigjuar për të ecur para dhe shpresoj që “masat” të merren që në ndeshjen e radhës.

Pse skuadra nuk është aty ku duan në Shkodër dhe ku pritet?

Ekipi më duket se ka kaluar në “stresin” e “Final 4”, por duhet gjetur qetësia dhe mentaliteti i duhur. Futbollistët duhet të kenë mentalitetin për të zhvilluar një futboll sa më cilësor dhe që garanton. Sepse përndryshe do jetë e vështirë për të arritur suksesin në fund të sezonit. Po ashtu, edhe stafi teknik duhet të bëjë zgjedhjet e duhura dhe ta konkludojë skuadrën duke u besuar lojtarëve më në formë dhe atyre që mendojnë se do i shërbejnë edhe për finalet e kompeticionit.

Cilin trofe do të dëshiroje mes kampionatit dhe kupës?

Preferoj patjetër kampionatin, për shkak se mungon prej shumë vitesh. Por Vllaznia të synojë për të dyja deri në fund, meqë gjithçka është e hapur në çdo front. Objektivi i kualifikimit në kupat europiane do vetëm të zyrtarizohet. Duke qenë se objektivi minimal është arritur, skuadra ka detyrën tashmë të arrijë edhe më tepër dhe kjo është fitimi i trofeve.