Edmond Doçi, ish-futbollist i Vllaznisë dhe aktualisht trajner i 19-vjeçarëve kuqeblu ka analizuar së fundmi fitoren kundër Kukësit. Ish-mesfushori më së shumti u ndal tek loja e mirë e ekipit të drejtuar nga Josa. Gjithashtu ai vlerësoi edhe performancën e Alivodes, duke e cilësuar si një shembull për çdo të ri që do të luajë tek ekipi i parë.

Doçi tha: “Më pëlqeu shumë loja përveç fitores kundër Kukësit. Skuadra tregoi ritëm të mirë dhe cilësi futbolli, që ndoshta disi e kishte shfaqur me hope në javët e shkuara. Po ashtu u krijuan disa raste të pastra për gol dhe kjo jep shpresa edhe për ndeshjet e tjera. Duke filluar nga kjo e fundjavës me Tiranën.

Takim që është çdo herë i vështirë e ku për mua përballë janë dy skuadrat më të mira të kampionatit. Them se me frymën pozitive dhe formën që u tregua kundër Kukësit, Vllaznia do arrijë të marrë rezultat pozitiv kundër bardhebluve.

Aktivizimi i të rinjëve ? Kanë qenë dy prej tyre si Smajli dhe Alivoda që kanë marrë më shumti minuta. Alivoden e njoh mirë që tek moshat dhe ka treguar një rritje të jashtëzakonshme. Besimin që i është dhënë ai e ka shfrytëzuar në maksimum. Është shembull se si çdo i ri duhet të punojë fort për të arritur suksesin.

Shembull jo vetëm për brezat që do vijnë, por ndoshta edhe për bashkëmoshatarët e tij që ka në skuadër. Askush nuk të fal asgjë sepse e dimë mirë që edhe legjendat e Vllaznisë në dekada e kanë pasur të vështirë të hynë në ekip të parë nga të rinjtë. Prandaj me punë dhe sakrificë, merita e askujt nuk hidhet poshtë”.
Endri ÇINARI