Edon Hasani ishte vendimtar me atë pasim që dha për autorin e golit ndaj Tiranës, Onanuga. Në prononcimin pas ndeshjes futbollisti shkodran theksoi se Kastrioti meriton një bravo të madhe për rezultatet që po merr.

“E kemi thënë që me ardhjen e trajnerit Çela gjithçka ka ndryshuar. Kemi ndryshuar shumë nga ndeshja me Kukësin si nga ana taktike dhe në vendosje. Fusha na lejonte të luanim me topin. Çdo gjë e kemi marrë me meritë, e tregojnë fitoret radhazi. Një bravo për të gjithë!”

Çelësi i suksesit: “Kemi punuar shumë në stërvitje. Trajneri na ka thënë që duhet të mendojmë sikur po luajmë pa portier, të jemi sa më dinamikë dhe të kemi ekuilibër. Gjithmonë vijmë poshtë linjës së topit, luftojmë, kemi agresivitet brenda rregullave të lojës. Kemi kaq ndeshje që asnjë lojtar nuk është ndëshkuar me karton të kuq.”

Urimi për Tiranën: “Tiranës i uroj kampionatin, e ka merituar me plot kuptimin e fjalës.”

Finalja me Egnatian: “Ne kemi objektiv që të qëndrojnë në Superiore pa “play out”. Kemi edhe një finale me Egnatian, që nëse e fitojmë me 99% e kemi arritur objektivin.”