Ashtu siç kishim paralajmëruar, dita e djeshme ka shënuar edhe debutimin e futbollistit shkodran Edon Hasani me skuadrën e tij të re të Sepahanit. Ka ndodhur kështu në ndeshjen e rradhës të kampionatit iranian të futbollit por ky nuk ka qenë një debutim si të gjithë të tjerët për futbollistin i cili pak javë më parë u largua nga Vllaznia për të firmosur në Iran. Futbollisti shqiptar ka hyrë në lojë në minutën e 82-të të ndeshjes ndaj Zob Ahan, të cilën ekipi i tij e humbi me shifrat 2-1 me një gol të pësuar në minutën e katërt shtesë.
Disfata e radhës në kampionat, ku klubi nuk duket se po arrin të shprehë potencialin e tij duke qenë shumë pranë zonës së rënies nga kategoria, u shoqërua me një kontestim të ashpër nga tifozët e kësaj skuadre, të cilët i janë kundërvënë ekipit dhe trajnerin Kranjcar, i cili rrezikon shkarkimin. Megjithatë nga java e ardhshme Hasani pritet ta nisë si titullar dhe mbase ky mund të jetë një ogur i mirë për ndryshimin e situatës tek Sepahan.
www.shkodrasport.com