Pas Ari Djepaxhisë, problemet e dëmtimit po ndjekin herëpashere edhe mesfushorin tjetër Edon Hasanin. Edhe ai, po kalon nga një dëmtim në tjetrin teksa mësohet se me dëmtimin e fundit, do të qëndrojë edhe për dy javë të tjera larg skuadrës. Në fakt nuk është një dëmtim i ri për të. Thjesht është përsëritja e një dëmtimi që ka patur më parë në kofshë dhe aktivizimi në ndeshjen e fundit me Laçin ende pa u rikuperuar plotësisht, e ka rikthyer dëmtimin. Këto dëmtime po i prishin jo pak punë këtij futbollisti sepse në vend që të ishte sezoni i shpërthimit të tij ky aktuali, po shoqërohet me probleme të shumta. Për rrjedhojë pritet që Hasani të mos luajë ndaj Kastriotit nesër, ndaj Flamurtarit të mërkurën për kupë dhe ndaj Tiranës fundjavën e ardhshme për kampionat. Mungesa e Hasanit do jetë e vetmja për nesër sa i takon dëmtimeve por ndërkohë do të mungojë për arsye kartonash Dritan Smajli. Kjo është një mungesë shumë e rëndësishme por trajnerit Vata i duhet të bëjë pa të. Vllaznia ka një objektiv të qartë për të fituar në ndeshjen ndaj Kastriotit dhe për këtë arsye, skuadra është karikuar në maksimum për t’ia dalë me sukses. Aq më tepër që ajo pritet të luajë edhe “me inat” pas padrejtësive që u vërejtën në ndeshjen e fundit ndaj Laçit në gjykim.

www.shkodrasport.com