Pas Armando Vajushit, një tjetër futbollist shkodran pritet të spikasë në kampionatin bullgar të futbollit. Bëhet fjalë për mesfushorin 21 vjeçar Edon Hasani. Siç dihet, që nga sezoni I kaluar, edhe ai është bashkuar me Liteksin duke firmosur një kontratë të gjatë me të. Por ky sezon që sapo është mbyllur, nuk ka aq I mirë sa pritej. Ndoshta ngaqë ish-lojtari I Vllaznisë ka qenë edhe disi I pafat sepse pikërisht në momentin kur filloi të luante, u dëmtua dhe kaloi një periudhë të gjashtë jashtë fushës së lojës. Për t’u rikthyer sërish në 5 javët e fundit të kampionatit kur ai ka qenë titullar duke I luajtur të plota këto ndeshje. Në total janë 9 ndeshje aktivizim të tij me Liteksin ose 501 minuta lojë në kampionat duke bërë një paraqitje përgjithësisht të mirë. Vetë lojtari është I kënaqur me rikthimin në fushën e lojës, e cila e ka edhe një arsye tjetër sipas tij. “Tek Liteksi është plotësuar numri I lojtarëve ekstrakomunitarë që luanin në formacion dhe pikërisht në momentin që Vajushi mori pasaportën bullgare, u lirua një vend dhe që nga ai moment unë kam qenë në fushë si titular”- shjegon Hasani për “Gazeta e Sportit”. Megjithatë tashmë që sezoni ka përfunduar, për Hasanin mund të ketë lëvizje. Edhe në janar ai ka qenë shumë pranë kalimit në formë huazimi tek Lokomotiva e Plovdivit por kjo lëvizje nuk u realizua në momentet e fundit. Mbase ky transferim mund të bëhet në merkaton e verës. Madje, bëhet e ditur se nuk është vetëm skuadra e mësipërme, ajo e cila është e interesuar për të. “Janë dy skuadra në kampionatin bullgar të cilat kanë shfaqur interes për mua. Lokomotiva e Plovdivit që më ka kërkuar edhe në janar si dhe Lokomotiva e Sofjes. Tashmë është në dorën e Liteksit për të vendosur. Nëse drejtuesit e tij do më besojnë një vend si titullar në formacion për sezonin e ri, sigurisht që nuk kam dëshirë të lëviz, në rast të kundërt do shohim këto mundësitë e tjera. Dëshira ime është që tashmë të luaj rregullisht sepse kam nevojë për këtë gjë duke menduar se I kam lënë përfundimisht njëherë e mirë pas dëmtimet”- ka thënë më tej Hasani. Megjithatë përveç këtyre dy skuadrave bullgare, duket se për mesfushorin 21 vjeçar ka edhe një opsion tjetër në merkato, pikërisht ekipin zvicerian të Luganos. Gjithçka ka nisur nga një miqësore që është zhvilluar pak kohë më parë në mes Liteksit dhe Luganos. Drejtuesit e kësaj të fundit e kanë pëlqyer futbollistin shqiptar dhe kanë hyrë menjëherë në kontakte me të dhe me drejtuesit e klubit bullgar. “Edhe Lugano është një opsion ngaqë drejtuesit e saj më kanë pëlqyer në një ndeshje miqësore që kemi zhvilluar me to. Drejtuesit e dy klubeve kanë kontakte me njëri- tjetrin dhe në këtë mënyrë tashmë duhet pritur se çfarë do ndodhë. Unë jam para shumë dilemave për të ardhmen time megjithatë do preferoj të zgjedh një skuadër që do më garantonte një vend si titullar sepse kam nevojë të luaj rregullisht”- ka thënë Edon Hasani në fund të prononcimit të tij. Në këtë mënyrë, duket se përveç Vajushit që po kërkohet nga shumë skuadra, edhe Hasani mund të largohet këtë verë nga Liteksi.
Gjergj KOLA