Vllaznia ndodhet në një situatë të vështirë pas 7 javësh kampionat, ku rezultatet kanë qenë zhgënjyese me 5 pikë të grumbulluara. Dy humbje dhe një barazim në tri ndeshje të zhvilluara në stadiumin “Loro Boriçi” janë tregues shumë negativë për shkodranët. Për këtë arsye u largua trajneri Armando Cungu dhe në stol është ulur tashmë Ernest Gjoka, ish-trajneri Kukësit sezonin e kaluar.

 

Me këtë të fundit Vllaznia ndeshet të shtunën dhe i duhet medoemos të marrë rezultat pozitiv për të mos i përkeqësuar pozitat në klasifikim dhe për të bërë kthesën e madhe.Edon Hasani kthehet në “Zeqir Ymeri” për herë të parë si kundërshtar, pas 3 sezonesh të suksesshme me fanellën e Kukësit. Kur u kthye nga dy përvojat jashtë vendit, në Bullgari me Liteks Loveç dhe Rumani me Çeahlul dhe Poli Timishoara, shkodrani luajti pikërisht për kampionët në fuqi. Natyrisht që ka emocione, pasi kthehet në një ambient, ku siç e pohon edhe vetë, ka kaluar shumë mirë. Megjithatë, tani është i Vllaznisë dhe ndeshjen e kësaj jave e konsideron si pikën e kthesës. Ka shënuar një gol në ndeshjen me Lushnjën, por nuk është i kënaqur me veten dhe me skuadrën, pasi pret më shumë. Edhe drejtuesit e tifozët presin më shumë nga Hasani, mesfushori 25-vjeçar që ka luajtur me të gjitha kombëtaret e moshave në Shqipëri, nga U-17 tek U-21. Ja intervista e plotë e mesfushorit shkodran për “VIP SPORT”:

Edon, ktheheni këtë javë në Kukës për të luajtur si kundërshtar me Vllazninë tuaj. Si e parashikon këtë ndeshje?

Për ne është një ndeshje shumë e vështirë, pasi dihet që fusha e Kukësit është e tillë për çdo skuadër, jo vetëm për ne. Kukësi ka pretendimet e veta dhe ne tonat, kështu që do të jetë një ndeshje e fortë, besoj dhe e bukur.
Hasani kur luante me Kukësin, bashkë me Micin e Skënderbeut dhe Malotën e Partizanit

Stadiumin “Zeqir Ymeri” e njihni shumë mirë, por ashtu edhe tifozërinë e Kukësit. Çfarë duhet të bëjë Vllaznia që të marrë pikë të shtunën?

Kur kam luajtur me Kukësin në atë stadium, kujtoj që kur kundërshtarët na luanin në mbrojtje, na vinin në vështirësi. Edhe më e vështirë bëhej ndeshja per ne, kur pësonim gol, kështu që Vllaznia duhet të shënojë e para në këtë ndeshje dhe të mbrohet mirë. Nëse e bëjmë këtë gjë, kam shumë besim se do të kthehemi me pikë nga kjo transfertë shumë e rëndësishme.

Vllaznia ka ndërruar trajnerin disa ditë më parë, ku vendin e Cungut e ka zënë Gjoka. Si ka ndikuar në skuadër ky ndryshim?

Zakonisht, kur bëhen ndryshime të tilla, ndikojnë për mirë në skuadër, por nuk është se këtu përfundon gjithçka. Reagimin duhet ta bëjë skuadra në fushë, pra ne lojtarët. Kam shumë besim se që nga ndeshja me Kukësin duhet të vijë kthesa.

Në verë, me afrimin e disa lojtarëve me shumë përvojë te Vllaznia, mes tyre edhe ju, u fol për një skuadër ndryshe këtë sezon, por këto pritshmëri nuk janë përmbushur deri tani. Pse, sipas jush?

Po, është e vërtetë, nuk kemi qenë aty ku duhet. Edhe unë vetë nuk kam qenë në nivelin e duhur. Por janë luajtur vetëm 7 javë kampionat dhe besoj se kemi mundësi dhe forca për të ndryshuar, e përsëris, që nga ndeshja me Kukësin këtë javë. Do të thosha se duhet të ndryshojmë ndoshta mentalitetin në këtë moment. Po luajmë mirë në shumë ndeshje  dhe nuk po marrim pikë, por them se është më e rëndësishme të luajmë ndoshta keq dhe të marrim pikët, që janë një shtysë e fortë të rritur nivelin më tej. Si të thuash, duhet të jemi më pragmatistë.
Hasani gjatë ndeshjes së fundit me Partizanin në “Loro Boriçi”

Vllaznia po vuan më shumë në sulm në këto javë, ku ka shënuar shumë pak gola…

Kemi vuajtur për të gjetur golin në këto ndeshje, por nuk duhet të kryqëzojmë për këtë vetëm sulmuesit Ribaj dhe Atsina. E vërteta është se kemi krijuar volum loje, po ashtu edhe raste, por nuk kemi finalizuar. Ndoshta duhet pak më shumë fat. Vllaznia ka lojtarë të rinj dhe të talentuar, siç janë Kalaja, Çinari e të tjerë dhe të gjithë bashkë do të dimë të shënojmë dhe të kthehemi te rezulatet e duhura.

Tifozëria ndërkohë vazhdon t’i qëndrojë larg Vllaznisë edhe në stadumin “Loro Boriçi”. Si e shihni këtë fakt?

Po dihet që tifozët shkodranë janë të tillë: kur Vllaznia arrin rezultate të mira ata vijnë të shumtë në stadium, kur ka rezultate negative sikur largohen. Tani na del për detyrë ne futbollistëve që ta kthejmë tifozërinë në stadium me rezultatet që do të arrijmë në fushë javë pas jave. Duhet t’i rikthejmë tifozët me lojë bindëse dhe fitore.
Hasani me fanellën e Kukësit dhe shiritin e kapitenit nnë krah

Keni diçka për të shtuar?

Po, dua të rikthehem te stadiumi dhe tifozët e Kukësit, pasi në Shqipëri kam luajtur vetëm me dy skuadra, Vllazninë dhe Kukësin. Kur u ktheva nga jashtë, firmosa për Kukësin dhe me këtë ekip kemi kaluar shumë e kemi arritur suksese në kampionat dhe në Europë. Eshtë një ambient i dashur për mua dhe, nëse do të shënoj të shtunën, nuk do të festoj, Kam respektin maksimal për drejtuesit e Kukësit, presidentin Safet Gjici dhe gjithë tifozët kuksianë. Aty jam ndjerë si në shtëpinë time.