E ndërsa në klubin Vllaznia ende nuk dihet se çfarë do bëhet për të ardhmen, disa futbollistë shkodranë që luajnë me skuadrat e tjera, pavarësisht dëshirës për të qenë në Shkodër, po shohin mundësitë e tjera në merkato për sezonin e ri. Një ndër to është edhe mesfushori Edon Hasani, që sezonin e fundit ka luajtur në Rumani. Ai këto ditë ndodhet në Shkodër dhe në një intervistë për gazetën www.shkodrasport.com, ka bërë të ditur mënyrën se si I ka shkuar sezoni I fundit në Rumani.

“Në fazën e parë kam luajtur me ekipin e Ceahlulit dhe u paraqita mirë dhe prej saj në fazën e dytë më kërkuan tek ekipi tjetër rumun Poli Timisoara ku e fillova mirë por me largimin e trajnerit, nuk gjeta shumë hapësirë në formacion. Sikur të mos mjaftonte kjo, skuadra ra nga kategoria dhe mbase prej kësaj, do jem i detyruar të ndërpres kontratën para kohe sepse në të ka një opsion që në rast të rënies nga kategoria të skuadrës, unë largohem i lirë në parametrat zero. Në kushte të tilla po shoh të gjitha mundësitë se ku do luaj sezonin e ri”- ka thënë Hasani.I pyetur se ku do të luajë në sezonin e ri, Hasani ka bërë të ditur se ka disa opsione megjithatë një dëshirë është edhe rikthimi tek skuadra e tij e zemrës Vllaznia, pavarësisht problematikës që po e shoqëron atë. “Vllaznia është skuadra ime e zemrës megjithatë shoh që po kalon një situatë problematike dhe nuk e di realisht se çfarë do bëj. Dëshira është të luaj për të megjithatë po shoh edhe opsionet e tjera. Me shumë të ngjarë do luajë me një nga skuadrat e kampionatit tonë në Kupat e Europës dhe më pas do vendos për të ardhmen time”- ka thënë mesfushori 22 vjeçar.Përveç Edon Hasanit, mund të ketë edhe ndonjë futbollist tjetër shkodran që është I lirshëm në këto momente dhe prandaj duhet shpejtuar për t’I marrë, para se të përfundojnë në ekipet e tjera.
Gjergj KOLA