Ishte projektuar për sezonin e ri futbollistik, por një lajm i papritur është mësuar sot nga kampi bardheblu. Burime të besueshme pranë lojtarit bëjnë me dije për newsport.al që Edon Hasani është pranë largimit nga 24-herë kampionët e vendit.

Mesfushori shkodran po sheh mundësinë për të vijuar karrierën diku tjetër, por peng për të është bërë kontrata që ka me kryeqytetasit edhe për një sezon tjetër.

Të njëjtat burime tregojnë se 27-vjeçari është në bisedime intensive me drejtuesit për të ndërprerë me konsensus bashkëpunimin.

Nuk dihet arsyeja se pse shkodrani ka kërkuar largimin në këtë fazë të përgatitjeve, por nuk përjashtohet mundësia e një oferte tunduese nga një klub jashtë vendit.

Njeriu që u shpall golashënuesi më i mirë i ekipit në edicionin që lamë pas, duket se ka vendosur t’i japë fund aventurës me skuadrën bardheblu. Një lajm ky që vjen në një moment pozitiv të Tiranës pas merkatos cilësore të bërë në këtë periudhë vere.

Pritet me interes të shihet se si do të përfundojnë bisedimet mes palëve, ku me sa duket është krijuar një çështje e re në klub. /Newsport/