Përveç Vucajt, optimist për fitoren ndaj Laçit të dielën në ndeshjen që do të luhet në stadiumin “Loro Boriçi” është shprehur edhe mesfushori tjetër i Vllaznisë Edon Hasani. Edhe ai ka qenë i pranishëm në konferencën për shtyp të pragndeshjes dhe para gazetarëve ka shprehur bindjen se kuqeblutë do të fitojnë edhe takimin e rradhës për kampionat. “Natyrisht që e kemi vlerësuar ekipin e Laçit që armën e tij më të fortë ka agresivitetin por edhe ne do t’i përgjigjemi me të njëjtën mënyrë. Unë kam shumë besim se do të dalim me tre pikë nga kjo ndeshje, tre pikë që do të na ndihmojnë shumë për vazhdimësinë.

Kjo është ndeshja e tretë rresht që luajmë në Shkodër dhe pasi kemi fituar dy të parat ndaj Lushnjës e Luftëtarit, besoj se trepikëshi edhe me Laçin do të na ndihmonte shumë për të rrit besimin në skuadër sepse Vllaznia nuk e meriton këtë renditje që ka dhe të gjithë sëbashku do t’ia dalim ta nxjerrim atë nga kjo situatë ku ndodhet”- është shprehur mesfushori me numrin 10 i kuqebluve. Në prononcimin e tij Hasani ka folur edhe për tifozët duke i bërë edhe njëherë thirrje për t’i mbështetur në stadium sepse rezultatet e skuadrës po vijnë duke u rritur nga java në javë. “Tifozët janë lojtari i 12-të për Vllazninë, një element shumë i rëndësishëm për këtë skuadër dhe prandaj u bëj thirrje të jenë në stadium për të na përkrahur. Shpresoj që edhe moti të jetë i mirë dhe ata të jenë sa më të shumtë dhe do të ishin një mbështetje shumë e madhe për ne për të arritë edhe këtë fitore që synojmë”- shprehet ai.Ndeshja Vllaznia- Laçi do të luhet të dielën në orën 13.00 ndërkohë që biletat e kësaj ndeshje kanë dalë në shitje që paradreken e së shtunës teksa mendohet që të ketë një numër më të madh tifozësh në shkallët e stadiumit sepse konsiderohet një ndeshje e rëndësishme për kuqeblutë.

www.shkodrasport.com