Rrëzimi i Edon Hasanit në zonën e Partizanit, në fundin e derbit ka nxitur polemika të shumta në vend. Ka nga ata që shprehen se ishte penallti e pastër, ndërsa të tjerë deklarojnë se nuk ishte 11-metërsh por simulim i shkodranit.
Pikërisht për rastin në fjalë janë shprehur dy moviolistët, ish-arbitra të Superiores, Albano Janku dhe Lorenc Jemini. Janku deklaroi në panelin e “Pressing”:
“Një kros I gjatë në hyrje të zonës. Në momentin e parë vendos shpinën në gjoksin e mbrojtësit të Partizanit dhe bën hapa të zotërj topin. Në momentin që Hasani ndjen kontaktin e dorës, ai bie direkt. Kontakt ka por nuk ka penallti. Është një dyluftim për topin. Shtojmë që dhe sulmi nuk ishte i rrezikshëm pasi Hasani është me kurriz nga porta“.
Ndërkohë nga ana tjetër, në emisionin “Procesi Sportiv” Lorenc Jemini u shpreh: “Arbitrimi ka qenë i një niveli të mirë. Kridens Meta vuri një standart në atë ndeshje duke lejuar lojën e fortë ashtu siç ndodh në gjithë botën.
Futbollistët mësohen dhe kuptojnë limitet e intensitetit të një ndërhyrje. Si rasti në fjalë ka pasur me dhjetëra gjatë gjithë ndeshjes, por që nuk janë dhënë nga gjyqtari. Ndaj për mua nuk ishte penallti. Nëse do të gjykohej me VAR e them: Po, do të ishte dhënë 11-metërsh. Por, gjithçka merret në tërësi“, përfundoi ai.