Ish-mesfushori i Kukësit dhe Vllaznisë, Edon Hasani, u largua nga ekipi shkodran gjatë merkatos së janarit, duke firmosur në kampionatin iranian me Sepahanin.
Hasani, fitues i Kupës, Superkupës dhe titullit kampion me Kukësin, në një intervistë për “Vip Sport”, tregon rreth aventurës së tij në kampionatin iranian.
Ai ka një falënderim për personin, i cili mundësoi transferimin e tij në Iran, Ervin Bulkun.
Hasani është ndalur edhe te çështja e Skënderbeut dhe ngjarjet e fundit, ku mbrojtësi Jashanica rezultoi pozitiv në testin antidoping.
Edon, luani në një kampionat shumë larg Shqipërisë. Çfarë ka ndryshe nga kampionati shqiptar ai iranian?
Normalisht, si nga nga niveli kampionatit, po ashtu edhe nga infrastruktura e kushtet stërvitore, janë më lart se kampionati shqiptar.
Ka një numër tifozësh shumë më të lartë se në Shqipëri, të cilët bëjnë një atmosferë të jashtëzakonshme.
A ishte i vështirë ambientimi në Iran?
Nuk është hera e parë që luaj jashtë, duke qenë se kam luajtur edhe në Bullgari dhe Rumani.
Ambientimi ishte i lehtë, falë mbështetjes dhe afërsisë së lojtarëve te ekipit, stafit dhe klubit.
Ekipi ku ju luani aktualisht ndodhet në vend të 11-të, 4 pikë larg zonës së ftohtë.
Në fakt, ekipi ka 2 vjet që është në këto ujëra. Ecuria nuk ka qenë ashtu siç pritej dhe është normale, ngaqë është ndërruar 80% e lojtarëve.
Sepahani është një ndër ekipet më të mirë në Azi. Objektivi për këtë vit është mesi i tabelës.
Vllaznia mbetet e rrezikuar në kampionat për rënien nga kategoria. Cili është mendimi juaj?
Vllaznia është ekipi zemrës, aty jam formuar si lojtar. Me grupin e lojtarëve që ka dhe me lojën që po zhvillon, nuk ka shans të bjerë nga Superiorja.
Nuk e çoj ndërmend që Vllaznia të bjerë nga kategoria.
Çfarë synon Hasani nga ky transferim në Azi? Cilat janë objektivat që i keni vënë vetes?
Duke qenë se kam një kontratë 6-mujorshe për gjysmë sezoni, shpresoj të rinovoj edhe për vitin tjetër, normalisht me kushte të tjera financiare.
Si e pritën tifozët atje transferimin e një futbollisti që ndoshta nuk njihej fare?
Emri im ka qenë i lakuar që vitin që kaloi për t’u transferuar te Sepahani, kështu që më kanë ndjekur.
Ervin Bulku ishte personi që bëri prezantimin tim këtu me klubin. Bulku ka qenë lojtar i Sepahanit, ku gëzon respekt maksimal si nga klubi, po ashtu edhe nga tifozët.
A besoni ende se, duke luajtur jashtë, mund të vijë një ftesë nga Kombëtarja?
S’e mendoj fare në fakt Kombëtaren. Thjesht jam i fokusuar tek ekipi aktual, ku po jap më të mirën e mundshme, duke kontribuar për të arritur objektivat e tij.
Kukësi i këtij sezoni duket shumë larg atij kur luanit ju. Çfarë nuk po shkon me të këtë sezon?
Në 3 sezone që kam luajtur, kemi fituar gjithçka: Kupë, Superkupë dhe titull. Këtë vit shpresoj të fitojnë Kupën, pasi kampionati duket i vështirë.
Si në ekipin ku jam aktualisht, edhe Kukësi ka pasur shumë lëvizje lojtarësh çdo vit gjë, që ndikon direkt në rezultat.
Por nuk mund të hiqen as meritat Skënderbeut, që është padyshim ekipi më i mirë në kampionatin shqiptar.
Çfarë mendoni për Skënderbeun, duke qenë se gjithçka ka ndodhur kur ju luanit në Shqipëri?
S’besoj se Skënderbeu është i përfshirë në të tilla gjëra. Do ishte një humbje e madhe për kampionatin shqiptar, nëse Skënderbeu do të dënohet, por shpresoj të mos marrë dënim.
Vetëm pak ditë më parë, Jashanica doli pozitiv në testin anti-doping. Si e komentoni këtë fakt?
Në fakt, nuk kam shumë informacion për çështjen e Jashanicës, por kam lexuar në rrjetet online.
Mendoj se është neglizhencë e mjekëve, pasi duhej të deklarohej për çfarë ka pirë dhe stafi antidoping dhe arbitrat të ishin ne djeni të plotë. Duhej të merrnin autorizimin. /Vipsport/