Shqipëria do të ketë edhe katër vitet e ardhshme tra jnerin Edi Reja në krye, por një ish-kuqezi, që ka zh villuar 42 ndeshje me fanellën e përfaqësueses nuk e aprovon. Edvin Murati, në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, kritikon trajnerin italian, duke i cilësuar edhe të çuditshme zgjedhjet e tij.

Ish-mesfushori, i cili u rikthye që të luajë në tokën e “Qemal Stafës” pak ditë më parë në një event bamirësie, ngacmon me batutë edhe Foto Strakoshën: “Gjithmonë ai e bën kapitenin. Do të jetë djali i tij, nipi e të tjerë me radhë. Trashëgimi…”. Ndërsa bën thirrje për futbollin shqiptar që të punohet shumë për të mbushur stadiumet.

Ndeshja e bamirësisë “Luajmë dhe rindërtojmë së bashku” ju riktheu pas shumë vitesh për të luajtur në tokën e “Qemal Stafës”. Çfarë ndjesie ishte për ju?

Ishte një kënaqësi shumë e madhe, në gjithë atë stadium shumë, shumë të bukur.

Cili ishte impresioni i parë kur shkelët fushën?

Po e shihja dhe më dukej shumë e madhe (qesh…), sepse, në fakt, nuk kam bërë shumë stërvitje. U bënë gati 15 vite që e kam lënë futbollin. Gjithsesi, është kënaqësi që të luash përpara tifozëve shqiptarë, në një stadium kaq të bukur në Shqipëri, të luash përkrah çunave me të cilët njihesh prej kohësh. Të rikujtosh edhe një herë kohët e vjetra, të bësh shaka si dikur, është vërtetë e bukur.

Si ishte ribashkimi në dhomat e zhveshjes?

Kishim emocionet e ndeshjes. Realisht! Mënyra si përgatitet ndeshja, gjëra specifike, të cilat, në fakt, i kemi harruar si rituale.

Kush e bënte kapitenin në dhomat e zhveshjes?

Strakosha, si gjithmonë. Ai do të jetë gjithmonë kapiten, cacuni i tij, çuni i çunit, nipi i nipave (qesh…). E kanë trashëgimi (qesh…).

Keni luajtur përballë mijëra tifozëve dhe stadiumeve gjigante gjatë karrierës suaj, po si ishte që ta përjetonit në Shqipëri pamjen e një impianti të tillë modern?

Tani stadiumi është kryevepër. Për këtë, duhet punë në kampionatin shqiptar që ky impiant i bukur të jetojë. Këtë mund ta bëjë duke u mbushur plot me tifozë dhe duhet të vibrojë. Për këtë, duhet që të ketë edhe evente, ndeshje dhe mendoj se do të duhet një punë shumë e madhe për kampionatin shqiptar që të rritet, në mënyrë që ky (“Air Albania Stadium”) dhe të tjerët të mbushen sa më shumë. Të ketë njerëz që vijnë nëpër stadiume.

Një ndeshje për një kauzë të rëndësishme…

Dua të falënderoj për këtë edhe ekipet e Greqisë, Turqisë dhe Italisë, sepse shkuam me ta edhe në Bubq e Thumanë dhe pamë njerëzit që kishin pasoja nga tërmeti, na u dhimbsën.

Për këtë, duhet të jesh bamirës dhe human në raste të tilla. Ne, si ish-futbollistë, mundohemi që të japim maksimumin, të ndihmojmë sadopak ata njerëz që kanë humbur shtëpinë, të cilët duhet të kenë shumë kurajë dhe ne nga ana jonë duhet të japim maksimumin për t’i ndihmuar.

Vata, Kola, Haxhi kanë kritikuar bërjen e listës, duke thënë se nuk janë bërë zgjedhjet me meritë. Ju si mendoni?

Desha ta falënderoj shumë Andi Lilën. Pse? Sepse është hera e parë që e bën këtë gjë. Sindikata është hera e parë që e bën. Mos i kërko Lilës shumë gjëra. Me të vërtetë që ka shumë… Pastaj, do të thërrasësh Agustin Kolën, Bedri Omurin, Mirel Josën, Hysen Zmijanin etj., etj., etj. Dhe është e vështirë… Në fakt, duhet të ishin, edhe Bled Kola, Haxhi, Vata. Pastaj, nuk duhet që gjithmonë të jemi negativë. Ne kemi ardhur për diçka humane dhe erdhe apo jo, nuk është mirë të bësh polemika, sepse asnjë nuk fiton prej tyre.

Murati, si e keni parë Kombëtaren në edicionin kualifikues të fundit?

Është krejt normale ajo që ka ndodhur. Njerëzit flasin, por edhe opinionistët dhe specialistët gjithashtu. Pas Europianit, pas një euforie të tillë, është normale që të kesh një tatëpjetë.

Po çfarë duhet për ta shmangur?

Duhet një strategji me djem të rinj që të luajnë bashkë. Për mendimin tim, duhet që Kombëtarja të mbledhë të gjithë çunat e rinj, të aktivizohen dhe luajnë bashkë. Edhe po nuk fituan, nuk ka problem, por të paktën të bësh një ekip si Kosova. Të ndërtosh një ekip për shtatë a tetë vjet, sepse duke luajtur bashkë me njëri-tjetrin, ata njihen mirë mes tyre dhe është më e kollajtë në vazhdim.

Me sa keni parë deri më tani, vëreni hapat e duhur për këtë

Vështirë! Vështirë, sepse po të shohësh Kombëtaren, nuk luan asnjëherë me të njëjtën 11-she.

Është faj i brezit, i kontingjentit të lojtarëve apo i trajnerit dhe ndryshimit të trajnerëve?

Shikoni, gjithsecili bën gabime, por puna është që të bësh sa më pak të tilla. Ne nuk duhet t’ia vendosim të gjitha fajet Panuçit. Ai është një e kaluar dhe duhet të shohim përpara. Tani duhet që edhe trajneri Edi Reja, i cili ka eksperiencë, duhet të jetë më serioz në veten e tij.

Pse e thoni këtë?

E them se jo të fusë Roshin nga sulmues i djathtë në mbrojtës të majtë. Nuk la lidhje. Po ta bëjë këtë një djalë i ri, OK, mund të thuhet prej moshës. Por, ta bëjë një trajner që ka atë eksperiencë si Reja, më duket shumë e çuditshme. Shumë e çuditshme. Prandaj duhet që çdo lojtar të specializohet në vendin e duhur.

Jo vetëm i majtë, por Roshi shpesh nuk luan. Pra, ndodh që me skemën që përdoret të sakrifikohet një nga lojtarët më produktivë…

Roshi është një lojtar interesant nga mesi i fushës e sipër, sepse bën diferencën në metrat e fundit. Dhe jo nga mesfusha e poshtë, pra në mbrojtje. Sepse, është jashtë loje komplet. Ai mbron si një sulmues. Prandaj, duhet ta lësh të luajë në krahun e djathtë dhe në vendin e vet.