Pasditen e djeshme të gjithë shijuam klasiken e futbollit shqiptar, Tirana Vllaznia. Megjithëse vetëm një miqësore, ndeshja ishte mjaft e luftuar dhe të dy skuadrat e deshën triumfin, me Tiranën, që u tregua më këmbëngulëse dhe mundi të përmbysë me shifrat 2-1, falë golave të Muçit dhe Avdijajt.

Pas ndeshjes për mediet e pranishme në “Selman Stermasi” foli trajneri bardheblu, Emanuel Egbo. Nigeriani tregon se ia kërkoi me patjetër këtë triumf djemve të tij dhe tregon edhe situatën e të munguarve të skuadrës.

TRIUMF MORALI- “Djemve u kam thënë këto ditë që fitorja do të na rrisë moralin. Gjendjen shpirtërore që duhet të kemi. Pavarësisht se është ndeshje miqësore, duhet ta fitojmë këtë takim. Duhet të jemi të qetë dhe të fortë mendërisht, duke pasur parasysh se kemi ndeshjen e “play-off”-it në Europa League. Ndeshja më e rëndësishme e sezonit është për dy javë dhe ne duhet të jemi gati”.

HUMBJET- “Duhet të kemi një gjendje psikologjike më të mirë sesa e kemi tani. Kemi humbur tri ndeshje rresht, duke përfshirë edhe miqësoren me Apoloninë që nuk luajtëm fare mirë. Duhej një fitore në miqësore për të qetësuar pak situatën. Nuk më intereson loja e bukur, por përqendrimi te qëllimi dhe te fitorja e ndeshjes. Për këtë qëllim gjithashtu u bazuam te skuadra e parë dhe nuk bëmë shumë ndryshime në formacion ose i bëmë me pikatore”.

FITORJA NDAJ VLLAZNISË- “E thashë, donim që të fitonim. Të merrnim shijen e fitores që të mos hynim në ngërç psikologjik. Kishim mungesa në skuadër”.

BATHA- “Shpresoj që para ndeshjes së “play off”-it të jenë gati ata që munguan. Batha është duke u rikuperuar. Ndoshta nesër apo pasnesër e kemi në ekip. Do të hyjë pak nga pak në stërvitje”.

HOXHALLARI- “Ai kishte një shqetësim dhe nuk donim të rrezikonim më shumë që të dëmtohej. Presim edhe sulmuesin tjetër Sasraku, që kishte një kontraktim të vogël dhe shpresojmë që do të rikuperojë. Para ndeshjes në Europë do të jetë i gjithë kontingjenti i duhur për ta luajtur atë takim”.

KTHIMI I KOBINA- “Do të niset këto ditë nga Gana. I kemi dhënë pushime sepse është bërë baba dhe do të vijë pas vizitës në Afrikë”.

SHTYRJA E SUPERIORES- “Na ndihmoi dhe nuk na ndihmoi. Patëm dëmtime, disa lojtarë erdhën me vonesë dhe në kampionat ishte fitore për ne. Nga ana e Europës është problem sepse kemi luajtur më 27 gusht ndeshjen e fundit dhe ne duhet të ishim në ritmin e sezonit. Paçka të gjithave, kjo që ndodhi është në favorin tonë”.

RITMI I ULËT- “Me futjen e disa lojtarëve nga stoli gjërat u komplikuan sepse ata nuk janë mësuar me sistemin e lojës apo strategjinë e ekipit. Duhet t’ua shpjegojmë çdo detaj të rinjve. Sa më shpejt të ambientohen me skuadrën dhe stilin tonë të lojës, më mirë do të bëhet për ne”, mbylli tekniku bardheblu. /vipsport/