Vllaznia ka vijuar përgatitjet edhe ditën e sotme për ndeshjen e rradhës, të cilën e luajnë të shtunën ndaj Egnatias, në stadiumin “Arena Egnatia”, duke nisur nga ora 13:45.
Shkodranët vijnë nga një disfatë e rëndë si ajo me Tiranën, ku u mposhtën me shifrat 1-2, teksa pas asaj ndeshje u shkarkua edhe trajneri Thomas Brdariç dhe në krye të ekipit tashmë ka ardhur ndihmësi i tij, Elvis Plori.
Nga sa është parë në seancat stërvitore, Vllaznia e kanë lënë pas humbjen në kampionat ndaj Tiranës dhe është përqëndruar totalisht në ndeshjen me Egnatian, e cila do të luhet këtë fundjavë, me të besuarit e trajnerit Plori, që do të kërkojnë të dalin sa më shpejt nga ngërçi, që ka kapluar ambientin.
Gjithsesi, përveç kësaj, shkodranët do të tentojnë të marrin fitoren në këtë javë pas dy ndeshjesh, teksa fitorja e fundit është arritur ndaj Dinamos, në stadiumin e Shkodrës, “Loro Boriçi”.
Sikur të mos mjaftonte luajtja e një takimi në një transfertë të vështirë, kuqeblutë duhet të vuajnë edhe mungesën e sigurt të pesë lojtarëve të rëndësishëm për këtë sfidë.
Kështu, te Vllaznia janë të shqetësuar për gjendjen fizike të katër futbollistëve, teksa fjala është për kapitenin Erdenis Gurishta, Liridon Latifin, Fjoart Jonuzin dhe sulmuesin brazilian, Victor Da Silva.
Nga sa bëhet e ditur për “Shkodra Sport” nga klubi shkodran, katër lojtarët do të mungojnë për ndeshjen delikate me Egnatian në transfertë, shto këtu edhe sulmuesin Aralica, që ka mbushur numrin katër të kartonëve të verdhë dhe do t’i duhet të bëjë një javë stop.
Kujtojmë se Gurishta, Jonuzi dhe Da Silva mungojnë prej më shumë se dy ndeshjesh, ndërsa tashmë trajneri Plori nuk do të ketë të gatshëm Latifin dhe Aralicën në takimin e rradhës të kampionatit ndaj Egnatias.
Mirëpo, duke ditur edhe problemet që ka Vllaznia në organikë dhe mungesën e lojtarëve të stolit, mbetet ende enigmë sesi do ta kompozojë trajneri Plori skuadrën për ndeshjen me Egnatian.
Pjesa tjetër e ekipit është e gatshme për këtë ndeshje, edhe pse disa futbollistë kanë shfaqur probleme të vogla, por mendohet që do të rikuperohen deri ditën e shtunë, kur edhe është programuar për t’u luajtur kjo ndeshje.
Duke parë emergjencën që ka Vllaznia në organikë, lojtarëve u është kërkuar që të shmangin kartonët e verdhë në ndeshjet e radhës, pasi nëse ndaj Egnatias, Diagne, Krymi, Gjurgjeviç dhe Bulatoviç do të ndëshkohen, nuk luajnë në ndeshjen e ardhshme ndaj Kastriotit, duke qenë se aktualisht kanë nga tre kartonë të verdhë.
Në këto 25 javë të kampionatit, Vllaznia ka marrë shumë ndëshkime dhe, përveç vëmendjes që duhet të kenë në ndeshje për të marrë maksimumin, lojtarët do t’i kushtojnë rëndësi edhe pjesës së ndëshkimeve me kartonë për të mos vendosur në pozitë të vështirë stafin teknik, me në krye trajnerin Elvis Plori.
Maringlen ZHIVANI