Egzon Belica nuk është më te Partizani. Mbrojtësi u përball me një vendim surprizë të klubit, që gjatë përgatitjeve në Pogradec e lajmëroi se nuk është më në plane dhe se largimi do të ishte zgjidhja më e mirë, për të mos përfunduar në ekipet “zinxhir”.

Lojtari nga Struga kishte edhe një vit kontratë, por zgjodhi të binte dakord dhe të ndërpriste kontratën me klubin, ku fitoi një titull kampion dhe një Superkupë në katër vite e gjysmë. Në një intervistë për “Panorama Sport”, mbrojtësi tregon të vërtetën e tij dhe gjithë prapaskenat e ndodhura.


Egzon, çfarë ndodhi? Titullar gjithë sezonin e në Europë, dhe papritur nuk jeni në plane. Si e shpjegoni këtë lëvizje të befasishme nga ana e klubit?

Të të them të drejtën as vetë nuk e di se si erdhi. Çdo gjë ndodhi shumë shpejt. Gjatë grumbullimit në Pogradec m’u komunikua se nuk i llogarisin më shërbimet e mia dhe e mira është të ndërpritet kontrata me mirëkuptim.

U mundova të veproj sa më profesionalisht për të mos u bërë barrë për klubin, edhe pse mund të kishte mënyra të tjera për t’u ndarë. Gjithsesi, sporti kështu është dhe unë po mundohem t’i kaloj gjërat pa hatërmbetje.


Kush ishte personi që ua komunikoi faktin që nuk ishit në planet e stafit teknik?

Bisedimet i kemi bërë me drejtorin e ri (Elton Marini). Gjithsesi, çdokush ka punën e vet për të bërë dhe dikush duhej të ma komunikonte. Jemi munduar t’i zgjidhim gjërat në mënyrën më të qetë të mundshme. Megjithatë, jam i mendimit se e gjithë kjo duhet të kishte ndodhur më herët, që unë të kisha kohë për të gjetur një skuadër të re, jo më datë 10 gusht.