Gjashtë futbollistë të Akademisë Vllaznia siç dihet janë grumbulluar në kombëtaren U20 ditët e fundit por lajmet e mira për të vazhdojnë. Dy futbollistë të tjerë janë grumbulluar nga kombëtarja U19 për ndeshjen e nesërme ndaj Dinamos.
Përveç mbrojtësit Egzon Shimaj që ka qenë edhe më parë pjesë e këtij ekipi, këtë herë është grumbulluar edhe mesfushori Olsi Mali. Kjo bëhet e ditur nga vetë klubi Vllaznia përmes faqes së tij zyrtare ku shkruan:
“Dy futbollistë të Akademisë Vllaznia janë thirrur nga trajneri Nevil Dede në grumbullimin e rradhës të kombëtares U19. Bëhet fjalë për mbrojtësin Egzon Shimaj i cili ka qenë i pranishëm edhe në grumbullimin e para pak ditëve të kësaj kombëtareje, si dhe për mesfushorin Olsi Mali që është grumbulluar tani për herë të parë.
Ditën e mërkurë në orën 10.00 këto dy futbollistë do të paraqiten në kompleksin sportiv “Internacional” në Pezë-Helmes për të qenë në dispozicion të stafit teknik të ekipit tonë kombëtar për ndeshjen që ai do të zhvillojë ndaj ekipit të Dinamos.
KF Vllaznia i uron suksese dy futbollistëve të saj Shimaj dhe Mali duke uruar një paraqitje sa më të mirë në këtë grumbullim të tyre me kombëtaren e kësaj moshe”.