Duam tifozë në stadiume dhe ankesat janë të mëdha kur ekipet nuk ndiqen në shkallë, as atëherë kur presidentët zemërgjerë iu heqin drynin dyerve dhe i lënë hapur pa bileta.

Deri në këtë pikë, “topi” iu kalon ndjekësve dhe mbështetësve të ekipeve që nuk janë masivë për të parë ekipin e zemrës. Në ato skuadra ku grupimet e tifozërisë janë të grupuara si ultras, atëherë barra shkon direkt te drejtuesit dhe organizatorët.

Po në ato raste kur mungon një i tillë, përgjegjësia zbehet në një rreze të gjerë: qyteti. Po kur klubi ia largon futbollin qytetit, të cilit i ka marrë emrin për ta përfaqësuar?

Po kur klubi nuk investon apo nuk gjen asnjë mënyrë për të zgjidhur problemin e infrastrukturës në mënyrë që i gjithë qyteti të ketë kushtet për të ndjekur skuadrën në territorin e vet?

EKIPE NË MËRGIM

Mungesa e infrastrukturës sportive në disa qytete bën që shumë klube të jenë të detyruar të stërviten në çdo ditë të javës përgjatë gjithë vitit në mërgim.

Shohim ekipe që zgjedhin rrethinat e kryeqytetit për të kryer seancat stërvitore, qoftë edhe duke mbajtur radhë për orarin e terrenit se nuk kanë fusha stërvitore pranë qytetit.

Ekipet elitare, të cilat institucioni i futbollit i ruan me fanatizëm që të jenë vetëm 10, për kë luajnë nëse nuk e zhvillojnë kampionatin në qytetin e tyre?

Nga viti në vit, problematika e stadiumit të qytetit përkatës, është duke u lejuar që të përsëritet. Korabi, i cili u lejua që të zhvillojë një sezon të plotë jashtë qytetit të vet, nuk ishte aspak një rast i izoluar.

2018-2019

Kukësi dhe Kastrioti, të cilat si për ironi të fatit përfaqësojnë ekstremet e futbollit shqiptar, bashkohen në një pikë: Do të luajnë në arrati.

Skuadra verilindore, sapo shkroi historinë duke kaluar një tur në Ligën e Kampionëve dhe është duke u përgatitur të përballojë me sukses, pse jo edhe Karabakun. Ironikisht, në të njëjtën situatë është edhe skuadra e sapongjitur në elitë, Kastrioti.

Një muaj përpara nisjes së garës në elitë, secila prej tyre po lejohet nga FSHF (u regjistruan në shortin e kampionatit) që të marrin pjesë në futbollin elitar pa pasur një stadium të licencuar në qytetin e tyre.

Po për kë do të luajnë këto dy skuadra? Cilën kategori tifozërie do të presin në shkallët e impiantit që do të zgjedhin për të zhvilluar ndeshjet si pritës?

Çfarë kanë bërë dhe po bëjnë nga mbarimi i ndeshjes së fundit të sezonit të shkuar e deri më tani për t’iu mundësuar tifozërive të Kukësit dhe Krujës që të ndjekin ndeshjet e sezonit 2018-2019?

LICENCIMET

“Zbatimi strikt i rregulloreve të UEFA-s dhe FIFA-s për licencimet, është hapi i parë për përmirësimin e futbollit shqiptar”, shprehej disa kohë më parë profesor Shkëlqim Muça në një intervistë për “Panorama Sport”.

E gjithçka, duket se fillon nga vetë Federata Shqiptare e Futbollit, që pranon skuadra të cilat nuk kanë asnjë premisë të luajnë në shtëpinë e tyre gjatë sezonit. Kukësi po e përgatit sezonin me kontratë të lidhur me “Loro Boriçin” dhe “Elbasan Arena-n”, që për kuksianët nuk është fare e leverdishme që të ndjekin ekipin e tyre të zemrës, për ta mbështetur dhe për t’i ardhur në ndihmë.

Kastrioti, në vigjilje të nisjes së sezonit, ka në plan nisjen e vitit në stadiumin “Redi Maloku” të Fushë-Krujës apo në “Niko Dovana”. Pra, as krutanët nuk do të kenë mundësinë që të ndjekin në shtëpinë e tyre, skuadrën që përfaqëson qytetin.

Për të kërkuar më shumë fonde, më shumë të ardhura nga e drejta televizive, më shumë fonde dhe mbi të gjitha një sponsor për Kategorinë Superiore, vetë Federata Shqiptare e Futbollit duhet të veprojë me “dorë të hekurt”, që të paktën në elitën e futbollit shqiptar, të mos pranohet asnjë skuadër pa stadium që plotëson të gjitha kushtet e licencimit.

Duke hedhur një themel të tillë, qoftë edhe duke prekur përkohësisht ndonjë prej ekipeve, shërbimi në nder të sportdashësve dhe përmirësimit të futbollit për të ardhmen, do të jetë shumëfish më i madh dhe në dobi të gjithkujt. Madje, edhe atyre që penalizohen përkohësisht…/panorama-sport/