Dy ekipet e Akademisë Vllaznia e kanë nisur mbarë pjesmarrjen në turneun e Selanikut ku ato po marrin pjesë teksa i kanë fituar ndeshjet e para që kanë zhvilluar.
Kështu, Vllaznia U14 e drejtuar nga trajneri Denis Zmijani ka patur përballë në këtë ndeshje të parë ekipin grek të Larisës të cilin e ka mundur me rezultatin 3-1.
Golat për ekipin kuqeblu janë shënuar nga Klajti Halili, Luçiano Kola dhe Nebi Qokthi. Një nisje e tillë me fitore padyshim që i ka bërë entuziast të gjithë pjestarët e këtij ekipi, të cilët kanë si objektiv të arrijnë edhe fitore të tjera në këtë turne dhe pse jo për të pretenduar fitoren e tij.
Por sipas informacioneve që na sjelle përgjegjësi teknik i Akademisë Vllaznia Alban Neziri që është bashkë me këto ekipe në Greqi, edhe ai U12 nën drejtimin e trajnerit Altin Xhahysa e ka fituar ndeshjen e parë në këtë turne.
Përballë tij ka qenë ekipi maqedonas i Akademisë “Pandev”, një nga më të njohurat në këtë vend, megjithatë shkodranët e vegjël ia kanë dalë të fitojnë ndaj saj me rezultatin 2-1. Golat janë shënuar nga futbollistët Sabion Bizi e Flavio Fusha.
Nesër të dy ekipet shkodrane do të zhvillojnë edhe nga dy ndeshje të tjera në grup dhe në rast se kanë sukses, atëherë do të vazhdojnë rrugëtimin e tyre për në gjysmëfinale dhe në finale të cilat do të zhvillohen ditën e dielë në Selanik.
© shkodrasport.com