Pas kualifikimit për në turin e dytë të Kupës së Shqipërisë, ekipet e Akademisë Vllaznia do të zbresin në fushë ditën e premte për të luajtur ndeshjet e rradhës ku do të synojnë sërish suksesin. Sipas kalendarit paraprak të Federatës Shqiptare të Futbollit, Vllaznia U19 do të luajë me një kundërshtar shumë të fortë siç është ekipi I Shkëndisë së Tiranës.
Takimi do të luhet pasditen e së premtes në orën 14.00 në Pezë- Helmes. Djemtë e drejtuar nga trajneri Luan Zmijani pavarësisht paraqitjes jo të mirë në fazën e parë të kampionatit, në kupë kanë të tjera pretendime. Këtë gjë e treguan edhe në ndeshjen e turit të parë ndaj Besës të cilën e fituan me rezultatin 4-2.
Padyshim që 19 vjeçarët kuqeblu do të tentojnë fitoren edhe në ndeshjen e nesërme për të vijuar rrugëtimin e tyre në këtë kompeticion. Ndërkohë, një short disi më të lehtë ka Vllaznia U17 e cila të premten në orën 12.00 në Pezë- Helmes do të luajë ndaj ekipit të Shoqatës Sportive “Pepa”.
Shkodranët vijnë pas suksesit 6-0 në turin e parë me Bylisin dhe kuptohet që fitoren do të synojnë edhe në takimin e rradhës. Futbollistët e drejtuar nga trajneri Brikeno Bizi gëzojnë një formë të mirë sportive dhe kuptohet që kanë objektiv për të avancuar në Kupë.
Përbërja e ekipit është e mirë dhe padyshim që do të synojnë t’I shkojnë deri në fund Kupës. Ekipet e Akademisë Vllaznia gjithë këto vitet e fundit kanë qenë shumë të suksesshëm në këtë kompeticion, madje kanë fituar edhe trofeun disa herë dhe të njëjtën gjë do të synojnë edhe këtë sezon.
www.shkodrasport.com