Akademia e Vllaznisë, me dy grupmoshat e saj, do të kërkojë sot në ndeshjet e tyre të marrë dy fitore. Ekipet kuqeblu të U-14 dhe U-15 do të luajnë ditën e sotme përkatësisht ndaj ekipeve të Internacional Tirana në transfertë.
Ekipi U-14, që drejtohet nga trajneri Arben Parmeza do të kërkojë një fitore në transfertë ditën e sotme. Në fakt, Vllaznia U-14 renditet në vendin e shtatë në tabelën e klasifikimit, në kuotën e shtatë pikëve në gjashtë ndeshje të luajtura deri më tani. Përballja e U-14 mes Internacional Tiranës dhe Vllaznisë do të luhet në orën 10:00 në fushën e kompleksit të vendasve në Pezë-Helmës.
Ndërkohë që, më pas më konkretisht në orën 14:00, po në këtë fushë do të zbresin 15-vjeçarët e këtyre dy ekipeve. Sa i takon ekipit të Vllaznia U-15, që drejtohet nga trajneri Fatjon Hasani, ka pozita shumë më të mira në kampionat, duke u renditur në vendin e tretë në tabelën e klasifikimit, në kuotën e 11-pikëve në gjashtë ndeshje të luajtura deri më tani.
Në fakt, me interes pritet ecuria e ekipeve të Akademisë së Vllaznisë, ku dihet që edhe në këtë sezon do të synohet fitimi i të gjitha kupave, por nga ana tjetër edhe nxjerrja e elementit cilësor.
Maringlen ZHIVANI