Akademia Shkodra, me dy grupmoshat e saj, do të kërkojë sot në ndeshjet e tyre të marrë dy fitore. Ekipet shkodrane të U-17 dhe U-19 do të luajnë ditën e sotme ndaj një kundërshtari të vështirë në transfertë, siç është Shkëndija e Tiranës.

Fillimisht, në fushë do të jetë ekipi i U-17, i drejtuar nga trajneri Semir Gogaj, të cilët kërkojnë të kenë vazhdimësi në kampionat me ecurinë e fitoreve, pas fitores javën e kaluar dhe ndeshja e tyre pritet me shumë interes, pasi bëhet fjalë për dy ekipe që konsiderohen të forta në këtë kampionat. Ekipi i Shkodra U-17 renditet në vendin e tretë në tabelën e klasifikimit në kuotën e 13-pikëve në gjashtë ndeshje të luajtura deri më tani, po aq sa Shkëndija e vendit të dytë.

Trajneri Gogaj beson tek futbollistët e tij se do të marrin një fitore ndaj Shkëndijes së Tiranës, edhe pse do të ndeshen ndaj një kundërshtari mjaft të vështirë, teksa realisht edhe barazimi do të konsiderohej pozitiv. Megjithatë, gjithçka rreth ndeshjes së 17-vjeçarëve, Shkëndija-Shkodra mbetet për t’u parë ditën e sotme në Kamëz, duke filluar nga ora 10:00.

Ndërkohë, menjëherë pas U-17, në fushë do të jetë edhe ekipi i Shkodra U-19. Skuadra e drejtuar nga Ersi Çaku, kërkon fitoren e parë për sezonin e ri ndaj një kundërshtari shumë të vështirë, siç është Shkëndija U-19, që renditet në pesë vendet e para të klasifikimit, teksa realisht edhe barazimi do të konsiderohej pozitiv.

Ndërkohë, Shkodra U-19 renditet në vendin e dhjetë në tabelën e klasifikimit, në kuotën e vetëm tre pikëve në gjashtë ndeshje të luajtura deri më tani. Në fakt, ekipi i trajnerit Ersi Çaku ka prodhuar futboll dhe shumë raste në fushën e lojës në ndeshjet që ata kanë zhvilluar deri më tani, por siç duket fati nuk ka qenë me ta që të vijë edhe rezultati. Ndeshja Shkëndija-Shkodra për U-19 do të luhet në Kamëz, duke filluar nga ora 12:00, menjëherë pas takimit të U-17.

Në fakt, me interes pritet ecuria e ekipeve të Akademisë Shkodra, ku dihet që edhe në këtë sezon do të synohet nxjerrja e elementit cilësor.
Maringlen ZHIVANI