Ekipet e futbollist të Kosovës kanë hedhur sytë nga Shqipëria për tëgjetur lojtarë cilësorë. Njohja e Kosovës edhe nga UEFA e FIFA, ka bërë që ekipet e kampionatit të këtij vendi të shtojnë interesin e tyre, ngaqë sezonin e ardhshëm do të marrin pjesë me të drejta të plota edhe në Kupat e Europës. Për këtë arsye, ata kanë filluar të mendojnë që herët për plotësimin e rradhëve të tyre me lojtarë cilësorë dhe për këtë gjë, po shohin nga kampionati shqiptar dhe veçanërisht nga Shkodra. Ofertat e para madje kanë ardhur.
Bëhet fjalë për ekipin Liria e Prizrenit që pritet të jetë një nga ekipet pretendente për titullin kampion në sezonin e ri.Për këtë arsye, drejtuesit e saj mësohet se kanë shfaqur dëshirën që të kenë në rradhët e këtij ekipi mesfushorin Alsid Tafili dhe po ashtu edhe sulmuesin Arenc Dibra. Të dy këta futbollistë në fakt janë nën kontratë me ekipin shkodran dhe vështirë të lejohen për t’u larguar. Por jo vetëm Liria e Prizrenit po kërkon futbollistë në Shkodër. Të njëjtën gjë po tenton edhe Vllaznimi I Gjakovës. Ofertat financiare që ato bëjnë duken të pëlqyeshme dhe me shumë siguri që nga viti në vit, kampionati kosovar do të rrisë nivelin e tij dhe do të jetë një mundësi shumë e mirë për futbollistët shkodranë dhe të tjerët e kampionatit shqiptar.
© shkodrasport.com