Plotësimi me katër skuadra të rriturish në basketboll dhe volejboll meshkuj e femra ka vështirësuar sëtepërmi punën për ekipet zinxhir. Për skuadrat e të rinjve nuk është lënë më shumë se 30 minuta hapësirë për tu stërvitur në pallatin e sportit “Qazim Dërvishi” si i vetmi mjedis që ofron “Sport Klub Vllaznia”. Në këtë mënyrë ekipet zinxhir të lojërave me dorë si për meshkuj edhe për femra nuk kanë një alternativë tjetër ndaj janë të detyruar të shfrytëzojnë atë 30 minutësh që nuk mjafton për asgjë.
Një ndër të alarmuarit është trajneri i basketbollit të femrave Rajmond Rasha. Ai thekson se nëse vazhdohet kështu shumë shpejt nuk do të ketë aspak cilësi dhe do të vuajnë edhe ekipet e të rriturve përsa i përket furnizimit me element sepse skuadrat e të rinjve janë thuajse inkzistente duke qenë se orari i stërvitjes është i paktë dhe qesharak. “Duke u bërë katër ekipe kërkesa për pallatin e sportit është bërë e domosdoshme. Atëherë lind nevoja për të strehuar ekipet ndihmëse që janë të rinjtë dhe paratërinjtë. Këto skuadra janë si dorë jashtë në aspektin e stërvitjes ose duhet thënë se përgatiten me një sakrificë të madhe. Përshembull, them që ekipi i të rinjve në basketboll meshkuj i cili ka fituar titullin Kampion, mendohet që trajneri Roland Koka punon shumë mirë bën vetëm 30 minuta stërvitje në pallatin e sportit. Ajo që është për të qeshur është orari stërvitjes që është përcaktuar 13:30-14:00. Në këtë mënyrë brenda këtij orari alternohemi, një ditë bën stërvitje ekipi të rinjve i basketbollit, një ditë bën skuadra e të rejave në basketboll, pra është shumë pak. Madje, ç’është më e rëndësishmja, kjo nuk justifikon as shpenzimin që bëhet për të rriturit sepse nëse nuk ke një fidanishte , atëherë nuk ke se si furnizon të rriturit ose për t’i qarkulluar ato ekipe” – thekson Rasha. Ky trajner por edhe trajnerët e tjerë të ekipeve të moshave për lojërat me dorë janë në të njëjtin mendim. Ata kerkojnë që situata të zgjidhet sa më shpejt nga “Sport Klub Vllaznia” apo edhe Bashkia Shkodër dhe të gjehet vendi dhe orari i përshtatshëm për zhvillimin e stërvitjeve të ekipeve zinxhir sepse janë pikërisht këto të cilët janë baza për të rriturit. Pikërisht të katër ekipet e të rriturve që ka aktualisht Vllaznia janë krijuar dhe vijojnë të furnizohen nga moshat, gjë të cilën shume shpejt ndoshta nuk mund ta shohim më sepse sportistët cilësor mund të shterrojnë për shkak të një keqmenaxhimi që po i bëhet skuadrave të rinjve.