Dy ekipet e basketbollit të të rriturve të Vllaznisë, kanë arritur fitore në ndeshjet e javës së tretë të kampionateve si për femra ashtu edhe për meshkuj. Ndeshjet janë zhvilluar pasditen e sotme në pallatin e sportit “Qazim Dervishi” teksa femrat kanë patur përballë ekipin e Elbasanit ndërsa meshkujt atë të UAT-së. Ndeshja e parë ka qenë ajo e femrave. Vajzat e trajnerit Rajmond Rasha nuk e kanë nisur mirë në fakt ndeshjen teksa në periodën e parë ata kanë dalë të mundura në shifrat 22-30 por ndryshimi ka ardhur në të dytën. Loja e tyre përmirësohet dhe ata e fitojnë atë 24-12 duke kaluar rezultatin në favorin e tyre. E njëjta situatë ka ndodhur edhe në të tretën e cila është mbyllur atë 25-15. Në të katërtën kemi një epërsi të lehtë të vajzave elbasanase që e fitojnë atë 27-25 por pa arritur të përmbysin rezultatin përfundimtar të ndeshjes që është 96-84 për Vllazninë. Kjo është fitorja e dytë e saj në tre javë kampionat teksa është mundur nga Flamurtarin në javën e parë ndërkohë që ka mundur Skënderbeun në Korçë në javën e dytë. Pas ndeshjes së femrave, është zhvilluar ajo e meshkujve të Vllaznisë ndaj ekipit të Universitetit Amerikan të Tiranës (UAT). Loja është dominuar nga djemtë e trajnerit Gjeçaj të cilët kanë fituar periodën e parë 14-12, pastaj edhe të dytën 19-12. Ekipi UAT-së ka fituar periodën e tretë 17-15 por nuk ka mundur të bëjë dot asgjë në të katërtën që është fituar sërish nga Vllaznia me shifrat 20-16 dhe krejt ndeshjen me rezultatin 68-57. Kjo është fitorja e tretë e ekipit shkodran në tre ndeshje kampionati të luajtura, një nisje e mbarë për të.
www.shkodrasport.com