Nga Endri ÇINARI

Ekipet shqiptare do zbresin ditën e sotme në fushën e lojës në kuadër të kupës së Shqipërisë. Në orën 13:00 do zhvillohen 8 ndeshje për raundin e 1/16 mes disa skuadrave të Superiores dhe Kategorisë së Parë e të Dytë.Dueli më interesant i këtij raundi është Flamurtari-Besa. Dy ekipet që aktualisht kryesojnë Kategorinë e Parë, do përplasen edhe në kupë.

Duke garantuar kështu një ndeshje për ti shijuar. E pikërisht nga ky çift do dalë edhe kundërshtari i Vllaznisë për raundin e 1/8 të kupës. Me shkodranët që do presin fituesin mes vlonjatëve dhe kavajasve. Një tjetër ndeshje që duket e balancuar është ajo mes Erzenit dhe Valbonës, dy ekipe që po luftojnë për mbijetesën në Kategorinë e Parë.

Të favorizuar duken ekipet e Superiores si Elbasani dhe Bylis. Me verdheblutë që do ndeshen me Ilirinë e Fushë Krujës e ndërsa ballshiotët do kenë përballë Luzin. Duele të barabarta dhe interesante shfaqen edhe: Apolonia-Burreli, Korabi-Kastrioti dhe Kukesi-Pogradeci. E ndërsa Vora në letër është e favorizuar me ndeshjen e tyre kundër Orikut.

Të gjitha ndeshjet do luhen ditën e sotme në orën 13:00. Dhe vlejnë kualifikimin për në raundin e 1/8 të kupës së Shqipërisë. Raund i cili më pas do zhvillohet në muajin janar të vitit 2025./www.shkodrasport.com/