Sulmuesi Ardit Hoxhaj rikthehet në Vlorë pas 4 vitesh. Sezoni i fundit që 29-vjeçari luajti me Flamurtarin ishte ai 2019-2020. Pas prezantimit te kuqezinjtë Hoxhaj ndjehet i emocionuar dhe gjatë një interviste për “Panorama Sport”, thotë se u rikthye në Vlorë me dëshirë dhe se për Flamurtarin nuk ka nevojë ta bindë njeri.
Sulmuesi thekson se ka rigjetur një ambient të qetë dhe shokë të tij drejtues në klub, por edhe futbollistë që kanë luajtur së bashku. Hoxhaj mendon se Flamurtari e ka potencialin për t’u ngjitur në Superiore.
Hoxhaj, si ndihesh për rikthimin në Vlorë?
Ndihem si në shtëpi dhe jam shumë i lumtur për rikthimin në Vlorë. Vij në një ambient ku jam rritur dhe e njoh mjaft mirë. Shpresoj të jap më të mirën për të arritur objektivin e klubit.
Kush të telefonoi dhe të bindi që të riktheheshe?
Kam pasur kontakt me presidencën dhe me drejtorin për t’u rikthyer. Dëshira ishte e të dy palëve, që unë të isha pjesë e Flamurtarit.
Çfarë ju bindi për t’u riveshur kuqezi?
Kur bëhet fjalë për Flamurtarin nuk ka nevojë për të më bindur. Unë, thjesht falënderoj presidentin që më ka hapur derën për t’u rikthyer.
Si e gjete ambientin, çfarë ka ndryshuar 4 vite me pas?
Gjeta një ambient shumë të qetë, të përkushtuar në punë për të bërë më të mirën. Gjeta disa nga ish-shokët e mi futbollistë, që tani janë në role drejtuese në ekip.
Keni njohje me grupin e lojtarëve që gjete?
Pjesën më të madhe të djemve i njoh. Kam luajtur përballë disave si kundërshtar, me disa të tjerë kemi qenë shokë ekipi. Për të gjithë kam pasur konsideratë dhe e kemi respektuar njëri-tjetrin. Tani si shokë ekipi do bëjmë më të mirën.
Flamurtari do të tentojë sërish ngjitjen në Superiore, sa i ka mundësitë?
Mendoj se ky ekip ka potencialin e duhur për t’u ngjitur në Superiore, por nuk duhet të jemi euforikë. Ne si lojtarë na takon të punojmë dhe të stërvitemi sa më mirë për të arritur objektivin e klubit.