Skuadra e Murlanit ka nisur përgatitjet për kampionatin e sezonit të ri në Kategorinë e Dytë të futbollit shqiptar. Kjo gjë ka ardhur me shumë vonesë, pasi pas nëntë ditësh nis kampionati.

Burime pranë KF Murlani bëjnë të ditur se pasditën e sotme, trajneri Vahedin Pepaj, i cili do të jetë sërish në krye të këtij ekipi, ka nisur stërvitjen dhe poashtu ka mbajtur edhe shumicën e futbollistëve që mbyllën sezonin e kaluar.

Tifozët e kësaj skuadre kuptohet që presin një skuadër më të fortë në sezonin e ri. Gjithsesi, me gjithë këtë vonesë për startin e përgatitjeve, ekipi do ta ketë shumë të vështirë që të mbijetojë. Edhe për trajnerin Vahedin Pepaj, nëntë ditë në dispozicion para nisjes së kampionatit, nuk janë aspak të mjaftueshme për ta përgatitur siç duhet skuadrën për sezonin e ri.

Megjithatë, fokusi për momentin tek drejtuesit e Murlanit është përqëndruar tek kompletimi i ekipit me kontigjentin e duhur të futbollistëve, por sërish do të jetë e vështirë gjetja e tyre në këto momente të fundit.

Edhe gjatë sezonit të kaluar, ishte pothuajse e njëjta histori dhe vetëm në fund u arrit mbijetesa e Murlanit në Kategorinë e Dytë. Një Kategori kjo që duket se po has gjithnjë e më shumë probleme financiare.
Maringlen ZHIVANI