Pas largimit të Albano Aleksit nga Tirana, klubi kryeqytetas është futur menjëherë në kërkim për ta zëvendësuar 30-vjeçarin. Kështu, emri më i preferuar nga dyshja Tefik Osmani dhe Orges Shehi ka qenë Ardit Krymi.

Drejtuesit e Tiranës, duke parë situatën e tij në Bjellorusi, kanë kërkuar të përfitojnë menjëherë dhe “Shkodra Sport” ka mësuar se bardheblutë kanë shfaqur interes dhe madje, ka patur edhe bisedime konkrete për këtë futbollist së fundmi pas largimit të Albano Aleksit. Shkodrani është një dëshirë e vjetër e Tiranës dhe në këtë mënyrë, Ardit Krymi ka qenë opsioni kryesor i bardhebluve për t’u afruar në mesfushë.

Mesfushori ka bërë shumë mirë vitet e fundit dhe bardheblutë kanë shumë dëshirë që ta afrojnë. Ai do të ishte një siguri në mesfushë dhe një tjetër alternativë për Orges Shehin si në Europë, por edhe në kampionatin e ardhshëm. Tirana i kishte bërë ofertë para disa ditësh, por që ishte refuzuar nga lojtari dhe oferta i është përsëritur edhe sot në një tjetër komunikim që drejtuesit e saj kanë patur me menaxherin.

Megjithatë, nga sa ka mësuar “Shkodra Sport”, vetë Krymi është shprehur qartazi dhe i prerë në vendimin e tij, teksa u ka komunikuar drejtuesve të Tiranës se për në Shqipëri nuk e ndërron Vllazninë me asnjë skuadër tjetër dhe prandaj, tashmë duket se klubi bardheblu është tërhequr nga oferta për mesfushorin shkodran.

Kështu, Krymi ka edhe një vit e gjysëm kontratë me Shakhtyor Soligorsk dhe nga burime të “Shkodra Sport” mësohet se drejtuesit e klubit bjellorus nuk do ta lënë të largohet. Tashmë, mesfushori shkodran do të vijojë të luajë sërish në Bjellorusi, pavarësisht dënimit të skuadrës së tij, Shakhtyor Soligorsk.
Maringlen ZHIVANI