Prej pak muajsh, futbollisti shkodran Ardit Krymi ka nisur një aventurë të re në Bjellorusi, teksa ka firmosur një kontratë me ekipin e Shakhtar Soligorsk. Futbollisti që deri në sezonin e kaluar ka qenë pjesë e Vllaznisë për tetë vite me rradhë, tashmë do të kërkojë të ketë sukses në një vend tjetër jashtë Shqipërisë dhe e ka nisur nga Bjellorusia me ekipin e Shakhtar Soligorsk.

Ai shpreson që ekipi aktual t’i shërbejë si trampolinë për t’u ngjitur më lart, pse jo, pasi me atë që ka treguar deri më tani, e meriton. Krymi ka dhënë një intervistë për gazetën “Shkodra Sport”, teksa ka folur edhe për Vllazninë, duke dhënë një përgjigje që çdo shkodran e pëlqen: “Në Shqipëri nuk luaj për askënd tjetër përveç Vllaznisë, sepse Vllazninë e kam në gjak”.

Megjithatë, për më tepër, më poshtë mund të lexoni intervistën e Ardit Krymit për “Shkodra Sport”, dhënë gazetarit Maringlen Zhivani.


Ardit, urime për paraqitjet e deritanishme me ekipin e ri, i lumtur besoj për këtë kontratë të re, por edhe për paraqitjet deri më tani me ekipin e Shakhtar Soligorsk?

Shumë faleminderit. Po, jam i lumtur, sepse doja të provoja diçka të re në jetën time jashtë Shqipërie dhe besoj se kam bërë zgjidhjen e duhur.


Si u lidhët me këtë ekip?

Po më kanë ndjekur gati një vit ekipi i Shakhtarit plus edhe menaxheri Florin Biba e bëri të mundur që unë të lëviz.

Cilat janë përshtypjet tuaja për ekipin e Shakhtar Soligorsk dhe ambientin aty, teksa jeni në skuadër edhe me dy emra të njohur në Shqipëri, siç janë ish-futbollisti i Kombëtares, Valon Ahmedi dhe ish-sulmuesi i Kukësit, Vitor Feijao?

Shakhtari është ekip shumë i mirë. Ambienti është shumë i mirë me kushte profesionale plus tifozët janë shumë të dashur dhe jam ndjerë shumë mirë. Ahmedi është futbollist i Kombëtares dhe shumë profesionist. Valoni është një futbollist që ka luajtur në nivele shumë të larta dhe më bëhet qejfi që jam në një ekip me të. Më ka ndihmuar shumë që të përshtatem. Poashtu, edhe Feijao është një futbollist shumë i mirë dhe besoj se ka për të ecur shumë.


Nga sa keni parë deri më tani, sa ndryshon niveli i futbollit atje me futbollin në Shqipëri?

Unë besoj se ndryshon vetëm tek ana fizike, sepse punohet shumë fizikisht këtu në Bjellorusi. Ky besoj është një nga ndryshimet e vetme me futbollin në Shqipëri.

Ardit, do ishte interesante nga ana juaj edhe një mendim për Vllazninë që prej periudhës kur nuk jeni më pjesë e saj. Keni pritur më shumë nga rezultatet e saj qoftë në Europë apo qoftë edhe në ndeshjen e parë ndaj Erzenit?

Vllaznia besoj se me futbollistët që ka është për kampion dhe besoj se ka për t’ia dalë këtë vit. Kam besim të madh, sepse ka një trajner shumë të mirë në krye, siç është profesor Mirel Josa dhe po ashtu edhe futbollistë shumë të mirë që i kam shumë shokë dhe kam besimin që kanë për t’ia dalë, sepse është vetëm ndeshja e parë. Vllaznia është ekip për kampion dhe e uroj me zemër që t’ia arrijnë.


Pyetja e fundit Ardit, mund të riktheheni sërish një ditë në Shkodër ndoshta për ta riveshur prapë fanellën e Vllaznisë?

Vllaznia është familja ime, më ka dhënë shumë. Normal që do të kthehem, sepse në Shqipëri nuk luaj për askënd tjetër përveç Vllaznisë, sepse Vllazninë e kam në gjak, jo unë por çdo shkodran.
Maringlen ZHIVANI