Pas emërimit të trajnerit të ri, Ditmar Bicaj në krye të pankinës së Burrelit, te matjanët kanë nisur edhe lëvizjet e para në merkato. Kështu, sipas burimeve të “Shkodra Sport” pranë klubit, mësohet se Burreli ka mbyllur marrëveshjen me dy afrimet e para dhe bëhet fjalë për dy mbrojtësit Silvestër Shkalla dhe Kristian Jaku.

I pari, në edicionin që lamë pas ishte pjesë e skuadrës së Vushtrisë, ndërsa i dyti pjesë e skuadrës së Besëlidhjes. Për trajnerin Bicaj, njohja me Shkallën është disi e vjetër, pasi në edicionin 2022-2023, kanë qenë së bashku pjesë e skuadrës vlonjate.

Po ashtu, sipas burimeve të “Shkodra Sport” pranë klubit të Burrelit, mësohet se merkato nuk do të ndalet këtu, pasi drejtuesit matjanë janë në bisedime edhe me futbollistë të tjerë, teksa të rradhës që mendohen të jenë pjesë e skuadrës për edicionin e ri futbollistik, janë një mesfushor qendre dhe një sulmues.

Disa ditë më parë, janë lakuar edhe dy futbollistë cilësorë të Akademisë së Tiranës dhe ish-sulmuesi i Flamurtarit, Jonatan Silva. Po ashtu, disa futbollistë të sezonit të shkuar janë në pritje të uljes në bisedime me drejtuesit e klubit, për të ndarë përfundimisht fatet e tyre. Ndërkohë që, skuadra e Burrelit do të nisë nga puna javën e ardhshme.
Maringlen ZHIVANI