Nga Endri ÇINARI

Dita e djeshme do mbahet mend gjatë për Elton Fikajn. Djaloshin shkodran, të rritur në Greqi, i cili bëri debutimin e tij si profesionist. Në minutën e 90-të të ndeshjes, ai u hodh në fushë për ekipin e Panathinaikos. Për “Shkodra Sport” në një prononcim, 18-vjeçari tregon emocionet e këtij debutimi. Që për të është vetëm fillimi i ëndrrës së madhe të futbollit.

Fikaj tha: “Jam ende i emocionuar nga debutimi që bëra në ndeshjen kundër Panetolikos. Për mua është një ëndërr e bërë realitet të luaj me ekipin ku u rrita dhe zhvillova si futbollist. Ende më duket e paimagjinueshme, por kjo do thotë që duhet të punojë shumë e të përmirësohem akoma më tepër.

Fatih Terim? Dihet kush është ai. Ai është një legjendë e futbollit. I jam mirënjohës që më dha mundësinë të debutoj. Por gjithashtu është kënaqësi dhe përgjegjësi shumë e madhe të trajnohesh e të mësosh nga një njeri i madh i futbollit siç është trajneri ynë.

Ëndrra? Dua të fitojmë titullin kampion me Panathinaikosin në Greqi këtë sezon. E po ashtu uroj që të kem më shumë minuta në ndeshjet e ardhshme, për të cilat do punoj.”