Milos Stojanoviç do të prezantohet ditën e sotme te Vllaznia. Prej javësh në fakt, “Shkodra Sport” ka publikuar lajmin se mbrojtësi serb ishte në tratativa me drejtuesit shkodranë.

Ndërkohë, së fundmi mësohet se palët kanë gjetur edhe gjuhën e përbashkët. Kështu, 26-vjeçari do të prezantohet ditën e sotme në ambientin e klubit. Qendërmbrojtësi vjen pas një sezoni të mirë me Kastriotin, por pas përfundimit të kontratës me klubin krutan, u largua nga ky ekip.

Gjithashtu, krahas Vllaznisë, Stojanoviç ishte i preferuar edhe nga skuadrat e Tiranës, Dinamos, Egnatias dhe Laçit, të cilat edhe ato nga ana e tyre kërkuan ta afrojnë mbrojtësin serb në gjirin e ekipeve të tyre.

Megjithatë, drejtori sportiv Elvis Plori është ulur në tavolinë me të dhe i ka bërë një ofertë të kënaqshme për të firmosur në sezonin e ri te Vllaznia, ç’ka duket se e ka bindur atë të firmosë në Shkodër.

Kështu, marrëveshja është arritur tashmë, me Milos Stojanoviç që sot pritet të firmosë në rradhët e Vllaznisë. Stojanoviç ka dy sezone që aktivizohet në futbollin tonë, ku ka qenë pjesë e Bylis dhe në edicionin e fundit pjesë e Kastriotit. Me 34-ndeshje të luajtura në sezonin 2022-2023 me Kastriotin, ka shënuar një gol dhe ka assistuar po një tjetër.
Maringlen ZHIVANI