Prej disa javësh ka qenë një nga temat më të “nxehta” të merkatos në vendin tonë. Fjala është për Erald Çinarin, i cili në fillimin e qershorit u largua nga Shkëndija e Tetovës pas 1.5 vitesh.

Për shkodranin u diskutua shumë për një rikthim në kampionatin tonë. Konkretisht, Vllaznia kishte shprehur hapur interes për të rikthyer në skuadër 27-vjeçarin.

Por tashmë duket se mëngjërashi ka vendosur përfundimisht për të ardhmen e tij. Ashtu siç e kishte paralajmëruar gazeta “Shkodra Sport” dëshira e Çinarit ishte ta vijonte karrierën jashtë rajonit dhe kështu ka ndodhur. Ekskluzivisht gazeta mëson se në sezonin e ri, Çinari do jetë pjesë e Premier Leagues në Armeni.

Skuadra që ka siguruar shërbimet edhe të ish-futbollistit të Partizanit është Noah. Ekip që e mbyllo edicionin e kaluar në elitën e futbollit armen në vendin e dytë të renditjes me vetëm 2 pikë pas kampionëve të Pyunik. Nga sa mësohet kontrata e 27-vjeçarit do jetë për dy sezone në Armeni dhe me një vlerë goxha të majme.

Në vendin tonë Çinari është aktivizuar me Vllazninë ku u formua si futbollist e po ashtu me Partizanin. Ku me kryeqytetasit u shpal kampion i vendit në sezonin 2018-19. Po ashtu numri 7-të ka pasur edhe një aventurë 1.5 vjeçare në Turqi me Samsunspor.

Ndërsa në periudhën e fundit ka qenë pjesë e Shkëndijës, ekip të cilin për ironi të fatit do e ketë përballë në turin e parë të Conference League. Ku tetovarët do jenë përballë ekipit të Noahs, ekip ku sulmuesi do bëjë prezantimin zyrtar gjatë kësaj fundjave./www.shkodrasport.com/