Me futbollistin e Fiorentinës, shkodranin Erald Lakti, mu dha mundësia për t’u njohur me ndërmjetësinë e fansave të tij shkodranë në një ditë pranvere pranë stadiumit të Firenzes “Artemio Franchi”.
Ai sapo kishte përfunduar stërvitjen e pasdrekes dhe prezantimi nuk kishte shumë ceremoni pasi djaloshi 19 vjeçar me buzëqeshjen e tij na futi në rrjedhën e një bisede që më ofroi me disa episode të cilat patjetër vlejnë për t’i bërë një profil modest për një futbollist
që ka bërë emër në rradhët e sportdashësve fiorentinë e shqiptar.
Për Laktin, çka do të thotë të jesh kapiten i një ekipi italian që arrin të fitojë edhe Kupën e Italisë për 19 vjeçarët”- ishte pyetja që i parapriu bisedës. Eraldi nuk e sheh këtë si privilegj, por thotë se në ekipin e Fiorentinës ka edhe futbollistë të tjerë që kanë një kontribut të madh.
“Vetë natyra ime serioze në stërvitje, në komunikimin me drejtuesat, trajnerët, shokët e ekipit dhe tifozërinë, në ndeshje e pas ndeshjeve, kanë ndikuar që të më besojnë shiritin e kapitenit. Këtë gjë unë e vlerësoj shumë e jam i detyruar të jap maksimumin në stërvitje e ndeshje. Nuk ka asnjë iluzion në rradhët e ekipit se pse një shqiptar mund të mbajë shiritin e kapitenit në një ekip ku përveç fiorentinasve, ka edhe futbollistë nga Belgjika, Franca, Spanja e Serbia. Është mbështetja e tyre që më bën të ndjehem komod në stërvitje dhe në ndeshje”-thotë Lakti.
Eraldi edhe pse ka lindur në Firenze, që në fjalët e para shfaq identitetin e tij. “Si shqiptar zgjodha të përfaqësojë Shqipërinë me U19 ku u bëra pjesë e pandarë e ekipi, duke kontribuar në ballafaqimet e tij ndërkombëtare. Mund të isha edhe pjesë e kombëtares italiane U19, por ishte edhe dëshira e babait tim- Agimit, që unë të luaja për ngjyrat kuqezi”.
Babai i Eraldit në fakt ka një kontribut të padiskutueshëm në afirmimin e tij. Që në moshën 7 vjeçare, ai filloi të njihej me emrat e ekipeve të Toskanës ku “Lanciotto” ishte i pari me të cilin ai filloi të luante futboll, me një kolektiv të panjohur, por pa ndrojtje ngjiti shkallët me ekipet e moshave dhe 9 vjeç ai veshi fanellën e Fiorentinës.
“Ishte jo vetëm preokupimi im dhe i familjes time që lehtësuan ecurinë tek ekipet e moshave për të ardhur deri këtu ku jam sot. Dua të veçoj trajnerin e njohur Bigica që më besoi shumë, duke më përgatitur në rolin e mesfushorit”- shprehet entuziast Lakti.
Ai pak kohë më parë u bë shqiptari i pari që ngre një kupë përtej Adriatikut në emër të Fiorentinës. Mesfushori i talentuar që luan më shumë për të ndihmuar mbrojtjen, nuk ka munguar të jetë edhe pranë sulmuesve në fushë, si në dhënien e asisteve por edhe në gjetjen e rrugës së rrjetës.
“Kam shënuar 3 gola në kampionat dhe në dy fitoret për finalet e kupës ndaj Torinos (2-0) në Firenze dhe (2-1) në Torino kam qenë në rolin e harmonizimit të dy reparteve për të siguruar stabilitet në ruajtjen e fitoreve”- vazhdon bisedën Eraldi.
Si çdo futbollist i ri që ëndërron një karrierë për të ardhmen, edhe shkodrani Lakti ka një protagonist që e frymëzon. “Ai është Gattuso. Gjithmonë kur isha me ekipet e moshave dhe sapo kisha filluar të luaja, ai më frymëzonte me lojën e tij burrërore dhe kjo më shtynte të mendoja se një ditë do të bëhesha edhe unë një “Gattuso i vogël”.- shprehet
Eraldi i cili është sërish i angazhuar me ekipin për të dërguar atë në fazën play-off të kampionatit dhe për të synuar edhe fitimin e titullit kampion.”Kemi ndeshje të vështira përsëri me Torinon dhe nëse fitojmë me të, na presin më pas të tjera sfida shumë të vështira deri në finale”- tregon me optimizëm në fjalën e tij mesfushori nga Shkodra.
Por në familjen Lakti futbollist “është ulur këmbëkryq” siç thotë dhe kryefamiljari i saj- Agimi. Edhe vëllai i Eraldit, më i vogël se ai në moshë- Sildi, është një tjetër e ardhme për futbollin e Toskanës. Ai pasi ka luajtur 4 vite me ekipeve e moshave të vogla të Fiorentinës, tani ka veshur fanellën e “Pistoiese”.
Për çdo ditë Sildi nga shkolla Sildi udhëton drejt Pistoies duke qenë një kuartist me përgatitje të kënaqshme teknike.”Jam i sigurtë se edhe Sildi, me vullnetin që ka, do të kalojë shpejt nga U17 tek U19 e më pas tek skuadra e parë”- thotë Eraldi.
Po perspektiva e këtij të fundit cila është në fakt? Përgjigja e tij është e qartë: “Kam një kontratë me Fiorentinën deri në vitin 2023 dhe jam i bindur se një ditë do të jem pjesë e ekipit të parë të saj”.
Pyetja tjetër është ajo se çka është Shqipëria për familjen Lakti? Djali i madh i saj, futbollisti që është nën kontratë me skuadrën e Seria A, përgjigjet: “E ndjekim kombëtaren, por edhe kampionatin shqiptar. Babai im është i lidhur ngushtë edhe me Vllazninë dhe e ka vuajtur rënien e saj në kategorinë e parë, por ka besim se rikthimi në Superligë, do t’i rikthejë Shkodrës traditën, pasi ka një shekull që futbolli i saj ka hyrë në histori”.
Namik Mehmeti
Firenze, qershor 2019