Nga Maringlen ZHIVANI

FIFA ka bllokuar sërish merkaton e Vllaznisë. Të paktën, kështu rezulton në sistem që nga e hëna e 13-janarit. Në fakt, një ditë para ndeshjes me Tiranën u hap merkatoja, që ishte e bllokuar nga FIFA për shkak të disa detyrimeve të pashlyera ndaj ish-futbollistit Lorik Boshnjaku dhe klubit maltez të Valletës.

Me zhbllokimin e merkatos, u federuan edhe dy afrimet e deritanishme të skuadrës së Vllaznisë, të cilët janë Serjan Repaj dhe Alfred Mensah. Megjithatë, ajo është bllokuar sërish nga FIFA. Nga sa mësohet nga burime të “Shkodra Sport” pranë klubit kuqeblu, ky vendim ka ardhur pasi akoma nuk është paguar borxhi që Vllaznia i ka klubit të Valletës për taksën e formimit të Eslit Salës.

Në fakt, drejtuesit e klubit kuqeblu kanë patur negociata me klubin maltez të Valletës për të paguar shumën prej 80-mijë eurosh me këste, por duket se kjo gjë nuk është pranuar nga ata dhe i janë drejtuar sërish organizmit që drejton futbollin botëror. Tashmë, për momentin merkatoja e Vllaznisë është e bllokuar, teksa duket se telashet nuk po i ndahen klubit shkodran.

Drejtuesit e Vllaznisë kanë gati afrimet e rradhës në skuadër, por më parë duhet të zhbllokojnë merkaton, duke i paguar klubit të Valletës shifrën prej 80-mijë eurosh./www.shkodrasport.com/