Me Vllazninë i ka mbaruar kontrata dhe aktualisht është një futbollist i lirë. Fjala është për mesfushorin e kuqebluve, Fjoart Jonuzi. Tashmë, duke qenë se është futbollist i lirë, një gjë e tillë ka bërë që ai dhe menaxheri i tij të jenë në kontakt me ekipe të tjera për të firmosur diku tjetër.

Kështu, “Shkodra Sport” ka mësuar se për mesfushorin kuksian ka shfaqur interes një nga ekipet e njohura kosovare. Në fakt, bëhet fjalë për ekipin e Ballkanit, që sapo është shpallur kampion në Kosovë. Burime pranë futbollistit, por edhe klubit kosovar, na e konfirmojnë një interesim të tillë dhe në ditët në vazhdim do të mësohet më shumë në lidhje me këtë gjë.

Në fakt, nga sa ka mësuar “Shkodra Sport”, mes Jonuzit dhe drejtuesve të Ballkanit ka pasur bisedime dhe palët thuhet se janë drejt akordit, teksa në ndeshjen ndaj Partizanit që u zhvillua në kryeqytet ishte i pranishëm edhe drejtori sportiv i kosovarëve, Nderim Nexhipi, për ta ndjekur nga afër mesfushorin.

Realisht, Fjoart Jonuzi ka bërë tre sezone shumë të mira me Vllazninë, duke spikatur me paraqitjet e tij në fushën e lojës dhe kjo ka bërë që ai tashmë të jetë mjaft i kërkuar në merkato.

Gjasat janë që mesfushori kuksian ta vijojë karrierën në Kosovë tek ekipi i Ballkanit nën drejtimin e Ilir Dajës, por gjithsesi në ditët në vazhdim do të mësohet më shumë në lidhje me këtë gjë.
Maringlen ZHIVANI