Nga Maringlen ZHIVANI

E ka mbyllur me Tiranën dhe aktualisht është një futbollist i lirë. Fjala është për ish-mesfushorin e Vllaznisë, Fjoart Jonuzi. Tashmë, duke qenë se është futbollist i lirë, një gjë e tillë ka bërë që ai dhe menaxheri i tij të jenë në kontakt me ekipe të tjera për të firmosur diku tjetër.

Kështu, “Shkodra Sport” ka mësuar se për mesfushorin kuksian ka shfaqur interes një nga ekipet më të njohura kosovare. Në fakt, bëhet fjalë për ekipin e Ballkanit, që është shpallur kampion në Kosovë disa vite rradhazi. Burime pranë futbollistit, por edhe klubit kosovar, na e konfirmojnë një interesim të tillë dhe në ditët në vazhdim me gjasa do të zyrtarizohet gjithçka.

Në fakt, nga sa ka mësuar “Shkodra Sport”, mes Jonuzit dhe drejtuesve të Ballkanit ka pasur bisedime dhe palët thuhet se janë drejt akordit. Jonuzi ka luajtur edhe për Vllazninë, teksa ka bërë tre sezone shumë të mira me kuqeblutë, duke spikatur me paraqitjet e tij në fushën e lojës.

Gjasat janë që mesfushori kukësian ta vijojë karrierën në Kosovë tek ekipi i Ballkanit nën drejtimin e trajnerit Orges Shehi, i cili ka kërkuar që ta ketë Jonuzin pjesë të skuadrës së tij, teksa në ditët në vazhdim pritet të zyrtarizohet gjithçka./www.shkodrasport.com/