Flamurtari ka gati një rikthim të bujshëm në skuadrën e saj. Kështu, ish-sulmuesi i Vllaznisë, Ardit Hoxhaj, mund të vishet sërish kuqezi.

“Shkodra Sport” zbulon se drejtuesit e klubit kanë patur kontakte të vazhdueshme me vlonjatin dhe po bëjnë çmos që ta bindin që të rikthehet në shtëpi. Kuqezinjtë kërkojnë që ta kenë me patjetër në gjirin e tyre Hoxhajn, duke qenë se tashmë ai është edhe lojtar i lirë në treg. Një “okazion” mund të thuhet ky, kur dihen edhe cilësitë që Hoxhaj zotëron.

Flamurtari ka nisur prej kohësh negociatat me Hoxhajn dhe tashmë pritet vetëm përgjigja e tij. Kujtojmë këtu që, 29-vjeçari edhe më parë ka qenë pjesë e dëshirave të drejtuesve, por deri më tani kjo gjë nuk është mundësuar.

Gjasat janë që të jetë tani koha më e përshtatshme për të arritur marrëveshjen. Hoxhaj ka një karrierë të pasur dhe do t’u bënte shumë punë vlonjatëve nëse do të pranonte që të rikthehej. Sulmuesi, karrierën e tij e ka nisur tek Akademia e Flamurtarit. Më tej, ai ka provuar të japë kontributin e tij për shumë klube, që nga ato më modestet e deri tek elitaret.

Hoxhaj shënon në CV-në e tij aventura në klube si Flamurtari, Himara, Bylisi, Skënderbeu, Korabi, Ferizaj, Vllaznia dhe AF Elbasani. Për herë të fundit, vlonjati ka qenë te kuqezinjtë në vitin 2020 dhe mund të rikthehet pas katër vitesh. Flamurtari, Skënderbeu dhe Vllaznia janë skuadrat, ku 29-vjeçari ka luajtur më shumë.

Gjithë kjo eksperiencë e Ardit Hoxhajt do të ndikonte mjaft si një shtysë në objektivin që kanë kuqezinjtë për rikthimin në Superiore. Një ndër arsyet që po synohet rikthimi i Hoxhajt është edhe fakti se opinioni sportiv dhe ai qytetar në Vlorë, i kanë “sulmuar” shpesh drejtuesit për anashkalimin që u është bërë futbollistëve vendas në skuadrën e parë dhe për të evituar ndonjë situatë të papërshtatshme e sidomos kur planin e kanë që ekipin ta ndërtojnë me shqiptarë, drejtuesit kanë vendosur që të afrojnë një pjesë jo të vogël vlonjatësh në skuadër dhe tashmë, një gjë të tillë po e tentojnë edhe me Ardit Hoxhajn, prej të cilit pritet vetëm një përgjigje nga ana e tij.
Maringlen ZHIVANI