I ka mjaftuar për të qëndruar vetëm një sezon në Shkodër gjatë karrierës së tij. Megjithatë, ka lënë mbresa për cilësitë e tij sportive, por edhe për aspektin njerëzor në qytet, ku të gjithë akoma e kësaj dite gëzojnë një respekt të jashtëzakonshëm për të.

Fjala është për ish-futbollistin e Vllaznisë, Polizoi Arbri. Beratasi ka qenë pjesë e shkodranëve në sezonin 2015-2016, por ka luajtur edhe për Flamurtarin dhe Kukësin në Superiore. Edhe pse ai ka luajtur për shumë skuadra të kampionatit shqiptar, siç dihet skuadra që Arbëri bën tifo, është Vllaznia.

Në një intervistë për “Shkodra Sport”, ai flet për pragndeshjen e Kupës, Vllaznia-Flamurtari, duke qenë se ka luajtur për të dy ekipet, por më pas i pyetur edhe për shijën pozitive që ka lënë në Shkodër, beratasi thotë se është një ndjenjë e veçantë që të lidh me Vllazninë dhe qytetin shkodran.

Arbri shprehet se kuqeblutë do të arrijnë të kualifikohen ndaj Flamurtarit, ndërsa theksoi se momentalisht shkodranët po kalojnë një ngërç që i ndodh çdo ekipi. Më poshtë, mund të lexoni intervistën për “Shkodra Sport” të ish-futbollistit të Vllaznisë, Polizoi Arbëri, dhënë gazetarit Maringlen Zhivani.


-Poli, përshëndetje

Përshëndetje Maringlen

-Arbëri, fillimisht përpara se të fillojmë intervistën, është kënaqësi të intervistojmë një futbollist që realisht ka lënë shumë shije pozitive në Shkodër, pasi mbeteni i veçantë në kujtimet e shkodranëve…

Faleminderit për vlerësimin juve dhe gjithë qytetit të Shkodrës.


-Poli, të mërkuren luhet ndeshja e kthimit e Kupës së Shqipëria Vllaznia-Flamurtari, duke qenë se jeni një futbollist që në të kaluarën keni luajtur për të dy ekipet, si e shihni këtë përballje, gjithmonë duke marrë në konsideratë edhe rezultatin e ndeshjes së parë?

Ashtu si Vllaznia, por edhe Flamurtari, do e kërkojnë të dyja fitore. Realisht, janë dy ekipe me traditë në futbollin shqiptar. Megjithatë, unë mendoj se Vllaznia do arrijë të kualifikohet.

-Si një tifoz i deklaruar i Vllaznisë, si e keni parë ekipin shkodran këtë sezon?

Unë jam me angazhime edhe me Tomorin, pasi jam zv/trajner aty, por me aq sa kam ndjekur, mendoj se kjo që po kalon Vllaznia, është një ngërç që i ndodh çdo ekipi.


-Në Shkodër, ju keni lënë një shije shumë pozitive si futbollist, të gjithë të kanë respektuar pavarësisht se ke qëndruar vetëm një sezon në Shkodër, ju mungon atmosfera e këtij qyteti?

Kujt nuk mund t’i mungonte atmosfera në Shkodër. Kujt nuk i mungon, kur i madh dhe i vogël e dashurojnë jo vetëm futbollin, por edhe sportet e tjera. Personalisht, mendoj se është një ndjenjë e veçantë që të lidh me Vllazninë.


-Poli, pas Kupës, ndeshja e rradhës për Vllazninë është ndaj Laçit në transfertë, si e shikoni këtë përballje?

E shikoj të vështirë, pasi Vllaznia vjen nga një humbje dhe Laçi pas një barazimi ndaj Tiranës. Megjithatë, Vllaznia di të tregojë karakter të fortë për t’i kthyer në favor këto ndeshje të vështira.


-E fundit Poli, e shihni si pretendente për titull Vllazninë këtë sezon?

Me keqardhje, e them se nuk e shoh pretendente këtë sezon Vllazninë, por në të njëjtën kohë, futbolli është i paparashikueshëm dhe prandaj është edhe i bukur. Megjithatë, dëshira është që Vllaznia të jetë kampione padyshim.


-Poli, faleminderit për intevistën dhe suksese me ekipin tuaj të Tomorit

Faleminderit ju. Suksese edhe ty!
Intervistoi: Maringlen ZHIVANI