Sezoni futbollistik sapo ka përfunduar në kampionatin shqiptar, ku janë dhënë edhe verdiktet për edicionin 2022-23. Vllaznia do jetë pjesëmarrëse në kualifikueset e Conference League, ku do shoqërohet nga Egnatia dhe Tirana. E ndërsa kampion i Shqipërisë u shpall Partizani, që ka siguruar pjesëmarrjen në kualifikueset e Champions League.
Ndërsa ka ngelur edhe finalja e kupës së Shqipërisë mes Tiranës dhe Egnatias e po ashtu ndeshja Play Off për qëndrimin në Superiore mes Erzenit dhe Korabit. Kjo për të dhënë verdiktet finale të këtij edicioni në Superiore. Por tashmë lëvizjet e futbollistëve do jenë në fokusin e skuadrave dhe tek Vllaznia kanë nisur largimet e para.
Siç kishte paralajmëruar ‘Shkodra Sport’ edhe para pak kohësh, emri i parë që duket se brenda këtyre dy ditëve do zyrtarizojë largimin nga Vllaznia është Kaina. Sulmuesi brazilian pas dy sezonesh në Shkodër, ka vendosur të mos e vijojë më bashkëpunimin me kuqeblutë. Megjithatë me siguri ai nuk do largohet nga Superliga.
Burime të ndryshme konfirmojnë së në sezonin e ri ai do jetë pjesë e skuadrës së Tiranës. Me bardheblutë që duket se kanë gjetur sulmuesin e munguar prej disa kohësh për skuadrën e tyre. Për 25-vjeçarin, kryeqytetasit do jenë skuadra e katërt ku ai do aktivizohet në Shqipëri. Ku më parë ka luajtur me Besën në Kategorinë e Parë, Vllazninë dhe Kastriotin në Superiore.
Endri ÇINARI